“Prindërit për Shqipërinë” peticion për kryeministrin Rama
Dritare.net

Një grup prindërish i kanë drejtuar një letër të hapur dhe peticion kryeministrit Edi Rama, ku kërkojnë dorëheqjen e tij dhe të ministrit të Brendshëm. Në letër, prindërit përmes nisës që quhet "Prindërit për Shqipërinë" shprehin shqetësimin për situatën politike, korrupsionin dhe dhunën gjatë protestave, ndërsa propozojnë krijimin e një qeverie tranzitore me mandat për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
LETËR E HAPUR DHE PETICION
Drejtuar: Zotit Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Për dijeni: Institucioneve të listuara në fund të letrës
Zoti Kryeministër,
Kjo letër e hapur është shkruar nga prindër të cilët nuk janë militantë dhe nuk i lidh ndonjë parti. I bashkon një frikë dhe një shpresë. Frika është ajo e telefonatës që ngelet pa përgjigje kur fëmijët tanë dalin në protestë dhe radikalizimit tё njё brezi tё tёrё nё mungesё tё njё pёrgjigjeje politike. Shpresa është se një ditë ata do të duan dhe do tё mundin të studiojnë, të punojnë dhe të rrisin familjen këtu nё Shqipёri me cilёsi dhe dinjitet.
Kjo letër e hapur është për të kërkuar dorëheqjen tuaj nga detyra e Kryeministrit. E bëjmë këtë kërkesë duke qenë të vetëdijshëm edhe për arritjet nën qeveritë që keni udhëhequr ju. Shqipëria ka përparuar, sidomos po të krahasohet me vitin e largët 1991. Prodhimi i brendshëm bruto është rritur, ashtu si dhe të ardhurat mesatare. Imazhi i Shqipërisë në botë dhe, si rrjedhojë, turizmi janë përmirësuar. Vendi ka ecur në negociatat me Bashkimin Evropian dhe ka institucione të reja të drejtësisë që po përpiqen të punojnë. Ju personalisht keni merita për miratimin e reformës në drejtësi, e cila krijoi Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Pavarësisht nga sa më lart, asnjë nga këto nuk e justifikon qëndrimin tuaj sot. Siç është bërë ndërkombëtarisht e njohur, hetimet për korrupsion dhe abuzime kanë përfshirë masivisht jo vetëm zyrtarë të nivelit të dytë, por ministra, zëvendëskryeministra dhe drejtues të institucioneve më të larta të shtetit. Ju nuk mund të fshiheni më pas gishtit dhe përgjegjësitë e bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë në raport me ligjin t’i konsideroni vetëm si individuale. Mbreti tashmë është lakuriq!
1. Dy pyetje që sjellin të njëjtin rezultat
Jemi të vetëdijshëm se shumica e procedimeve penale ndaj zyrtarëve të qeverisë nuk kanё përfunduar ende me vendim të formës së prerë, dhe secili person gëzon prezumimin e pafajësisë. Përgjegjësia penale është me të vërtetë individuale dhe gjykata do të vendosë për secilin. Por, pavarësisht thirrjeve për burg nga protestuesit, as ata as ne nuk kërkojmë dënim penal jashtëgjyqësor për ju. Kërkojmë atë që pritet nga çdo udhëheqës: përgjegjësi politike. Prandaj ju drejtojmë një pyetje të thjeshtë: e dinit apo nuk e dinit që bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë bënin veprime të tilla që i vunë në pozitë të përballen me ligjin?
Nëse nuk e dinit, keni dështuar në detyrën themelore të një kryeministri: të dini kujt i besoni pushtetin dhe paratë publike. Nëse e dinit, jeni politikisht bashkëpërgjegjës për atë që lejuat të ndodhte. Në të dyja rastet, përfundimi është i njëjtë: ju duhet të dorëhiqeni! Ky nuk është standard i shpikur nga ne posaçërisht për ju! Vetëm në vitin 2026 pesë kryeministra evropianë kanë dhënë dorëheqjen. Plot udhëheqës janë dorëhequr apo larguar nga politika për skandale shumë më të vogla se ato që kanë ndodhur në Shqipëri, jo sepse ishin personalisht fajtorë për gjithçka, por sepse e kuptuan se përgjegjësia për dështimet i takon atij që drejton.
2. Bilanci i trembëdhjetë viteve tuaja
Korrupsioni që ju rrethon është arsye më se e mjaftueshme, por nuk është e vetmja përse duhet të dorëhiqeni. Pas trembëdhjetë vitesh në krye të qeverisë, shifrat e institucioneve ndërkombëtare dhe të INSTAT tregojnë një vend që, pavarësisht përparimit, ngec në shumë fusha në raport me rajonin dhe, për më tepër, me vendet evropiane. Ja vetëm disa të dhëna:
• Arsimi. Shpenzimi publik për arsimin ra nga 4.0% e PBB-së në 2016 në 2.7% në 2022, niveli më i ulët në 21 vjet, dhe ishte 3.1% në 2023, ndërsa mesatarja e BE-së dhe e OECD-së është rreth 5%.
• Korrupsioni. Në 2016 Shqipëria kishte 39 pikë dhe renditej e 83-ta në botë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Nëntë vjet më vonë, në 2025, ka po 39 pikë, por renditet e 91-ta!
• Demokracia dhe zgjedhjet. Freedom House e ka klasifikuar Shqipërinë si “regjim hibrid” gjatë gjithë mandateve tuaja. V-Dem e mbante vendin në “zonën gri” në 2024 dhe në 2026 e kaloi në kategorinë e autokracisë elektorale. Përtej kësaj, regjimi patronazhist që ju keni ideuar dhe zbatuar, shkrirja e shtetit me Partinë Socialiste, presioni ndaj votuesve dhe punonjësve publikë, blerja e votave dhe ndikimi kriminal janë të gjitha fenomene që secili prej nesh i ka përjetuar dhe që janë evidentuar në raportet ndërkombëtare.
• Ekonomia. Rritja ekonomike mbështetet te turizmi dhe ndërtimi pa fre – sektorё ekonomik krejtёsisht vulnerabёl dhe pa rritje tё qёndrueshme. Industria përpunuese përbën vetëm 6.46% të PBB-së dhe u tkurr në 2025. Sipas Bankës Botërore, me ritmin e sotëm nuk e arrijmë dot nivelin e tanishëm të BE-së as brenda 40 viteve.
• Popullsia. Nga 2011 deri në 2023, Shqipëria humbi të paktën 14.8% të popullsisë, ndërsa Serbia humbi 6.9% dhe Mali i Zi u rrit. Në 2014, gjysma e shqiptarëve ishin më të rinj se 34 vjeç. Sot, kjo moshë është 45. Shqipëria u plak dy herë më shpejt se Evropa, sepse Shqipërisë po i shkulen filizat.
Ndër fqinjët, vendi me të cilin Shqipëria nën qeverisjen tuaj ngjason gjithnjë e më shumë është Serbia e Aleksandar Vučićit, të cilën V-Dem e klasifikon si autokraci elektorale që nga 2014. Ashtu si Vučići i quajti protestat studentore “revolucion me ngjyra” të nxitur nga agjentë të huaj, edhe ju flisni për “duar të huaja”. Fatkeqësisht, nga Serbia duket se keni marrë vetëm modelin politik.
3. Protestuesit, ashtu si policët, janë bijtë dhe bijat tona
Protestuesit janë bijtë dhe bijat tona. Është miopi politike të mendosh apo të akuzosh se të gjithë ata janë agjentë të huaj. Pavarësisht nëse mes tyre ka apo jo ndonjë nga elementët që ju përmendni, ne i shohim çdo ditë në shtëpitë tona ata që përbëjnë shumicën në sheshe. Pas rreth katër muajsh protestash paqësore, prej 13 tetorit 2026 bijtë dhe bijat tona kanë dalë para Ministrisë së Arsimit në Tiranë dhe më pas në qytete të tjera. Fatkeqësisht, thënia e famshme e presidentit Kennedy, se ata që e bëjnë të pamundur revolucionin paqësor e bëjnë të pashmangshëm revolucionin e dhunshëm, u bë realitet. Ndonëse në një shoqëri demokratike dhuna nga çdo palë është e dënueshme, në një shoqëri autokratike siç është kthyer Shqipëria, gurët e studentëve fatkeqësisht po kthehen në shprehje të shpirtit të demokracisë.
Duhet të kuptoni se, kur protestuesit përplasen me policinë, zemërimi i tyre nuk është kundër policit si individ, por kundër jush si kryeministër! Ne jemi mirënjohës ndaj të gjitha forcave të rendit dhe policisë që e bëjnë detyrën me përkushtim e ndershmëri, në mbrojtje të institucioneve, pronës publike dhe qytetarëve. Sidomos ne, brezi që e ka jetuar 1997-ën, nuk duam në asnjë mënyrë që Shqipëria t’i kthehet atyre kohëve. Shumica e punonjësve të rendit e kryejnë detyrën me profesionalizëm, shpesh në kushte të vështira, dhe ata që lëndohen janë gjithashtu bij e baballarë të familjeve shqiptare. Pikërisht sepse e duam policinë të fortë dhe të respektuar, nuk pranojmë që emri i saj të njolloset nga disa që dhunojnë të pambrojturit. Mbrojtja e institucioneve nuk mund të përdoret si justifikim për të goditur me shkopinj dhe me shkelma protestues të shtrirë, për të futur me dhunë të rinj në duart e personave civilë të maskuar, për t’u kundërpërgjigjur me gurë protestuesve pa helmeta apo për të penguar punën e gazetarëve. Për këtë, përgjegjësia politike bie mbi ju dhe Ministrin e Brendshëm.
4. Dorëheqja juaj as nuk na largon nga Evropa, as nuk është fundi i botës
Thoni se ju dhe vetëm ju mund ta çoni Shqipërinë në Evropë dhe se, po të ikni ju, nuk ka kush të vijë. As njëra, as tjetra nuk është e vërtetë. Nëse mendoni se askush nuk mund t’ju zëvendësojë, ky është edhe një tregues tjetër i mendёsisё me tё cilёn qeverisni, brenda dhe jashtë partisë.
Askush nuk është i pazëvendësueshëm. Në një demokraci funksionale drejtuesit ndërrohen, dhe rinovimi i klasës drejtuese është zhvillim në vetvete. Është e vërtetë që qeveritë normalisht ndërrohen me zgjedhje, por kjo nuk është një situatë e zakonshme. Nuk është e tillë pikërisht sepse, për arsyet e përmendura më sipër, nën qeverisjen tuaj, zgjedhjet në Shqipëri janë kthyer në formalitet, pothuaj si në kohën e komunizmit, kur ju deklaroni paraprakisht saktësisht numrin e mandateve që Partia Socialiste do të fitojë! Por edhe sikur të mos ishte kështu, çdo kryeministër me pak bosht moral në këto kushte do të duhej të kërkonte vetë votëbesimin e popullit. Dhe do duhej ta kishte bёrё kёtё pa pritur fare as protestat paqёsore tё Revolucionit tё Flamingove, dhe as protestat e studentёve tani. Nëse vërtet mendoni se keni mbështetjen që pretendoni, edhe pas gjithë këtyre skandaleve, çfarë ju tremb që ta provoni këtë duke u përballur me kutinë e votimit?
Së fundi, me dorëheqjen tuaj Evropa jo vetëm nuk largohet, por afrohet! Pavarësisht deklaratave politike më të fundit që duket se vijojnë të mbështesin stabilokracinë, Evropa është ndërtuar mbi bazën e demokracive funksionale dhe jo të autokracive. Mё e rёndёsishme se anёtarёsimi i Shqipёrisё nё Evropё formalisht ёshtё mbartja e vlerave evropiane mes nesh! Integrimi evropian i vërtetë vetëm do të përshpejtohet kur Shqipëria të tregojë se ka një demokraci të përgjegjshme, ku kryeministrat dorëhiqen kur hetimet tregojnё se lidhjet me krimin e organizuar kanё arritur deri në majat e shtetit dhe korrupsioni shtrihet këmbëkryq në qeveri.
5. Çfarë kërkojmë
Ne, prindërit nënshkrues, kërkojmë si vijon:
a) Dorëheqjen tuaj të menjëhershme nga detyra e Kryeministrit, si pasojë e përgjegjësisë politike për të gjitha skandalet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes suaj.
b) Dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, si përgjegjës politik për Policinë e Shtetit dhe për veprimet e papërgjegjshme të disa prej anëtarëve të saj ndaj protestuesve.
c) Krijimin e një qeverie tranzicioni me mandat të qartë dhe të kufizuar: përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, mbrojtjen e pavarësisë së SPAK-ut dhe hetimin e pavarur të dhunës ndaj protestuesve.
E mbyllim këtë letër me shpresën se nuk do të prisni që të digjet e gjithë Shqipëria përpara se të tregoni përgjegjësinë e një shtetari që e do vendin më shumë se karrigen. Ndryshe nga ç’thoni, dorëheqja juaj nuk do të ishte një dorëzim i shtetit përballë dhunës. Do të ishte një akt reflektimi, i vonuar, por ende i mundshëm. Ministritë e dëmtuara rindërtohen. Xhamat e thyer zëvendësohen. Por shpresa e një brezi, kur vritet, nuk rindërtohet dot me asnjë tender. Ajo ikën me avionin e parë, me një çantë në dorë dhe me një përqafim të shkurtër në aeroport. Ne, prindërit, e kemi bërë shumë herë atë përqafim. Nuk duam ta bëjmë më!
Për dijeni:
Institucionet shtetërore
Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Kryetari/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë
Avokati i Popullit
Ministri i Brendshëm
Ministri/Ministrja e Arsimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Prokurori i Përgjithshëm
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Partitë politike
Partia Socialiste e Shqipërisë
Partia Demokratike e Shqipërisë
Të gjitha partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend
Bashkimi Evropian
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri
Komisionerja/Komisioneri Evropian për Zgjerimin
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë
Raportuesi/Raportuesja e Parlamentit Evropian për Shqipërinë
Komisioni për Punët e Jashtme (AFET), Parlamenti Evropian
Delegacioni i Parlamentit Evropian në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri
Organizatat ndërkombëtare
Prania e OSBE-së në Shqipëri
OSBE/ODIHR, Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut
Asambleja Parlamentare e OSBE-së
Komisioneri/Komisionerja për të Drejtat e Njeriut, Këshilli i Evropës
Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), Këshilli i Evropës
Zyra e Koordinatorit/Koordinatores së Përhershme të OKB-së në Shqipëri
Raportuesi Special i OKB-së për Lirinë e Tubimit Paqësor dhe të Asociimit
Raportuesi Special i OKB-së për Torturën
UNICEF Shqipëri
Ambasadat në Tiranë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar
Ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Tiranë, veçanërisht: Gjermania, Italia, Franca, Holanda, Greqia, Austria, Suedia, Spanja, Polonia, Republika Çeke, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Kroacia
Ambasada e Zvicrës.", thuhet në letër./K.C/dritare.net