Na ndiqni edhe në

Shqip

Dora që fshihet pas protestave! Flet Marenglen Kasmi

Dora që fshihet pas protestave! Flet Marenglen Kasmi

Historiani Marenglen Kasmi, në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në Dritare TV, i quan protestat e ditëve të fundit “një panair pakënaqësish”. Sipas tij, kjo është një lëvizje pa kokë dhe pa artikulim politik, por me synime antisistem.

“Shikojmë një protestë që nuk ka drejtim, nuk ka kokë, nuk ka as artikulim apo ambicie politike, por ka vetëm përfundime, pra ndryshim qeverie pa kompromis”, tha Kasmi.

Ai e krahasoi situatën me protestat në Francë dhe Itali dhe tha se dallimi kryesor është qëndrimi i politikës. “Nuk po ndodh në Evropë që opozita të bëhet bashkë me gurin, bashkë me djegien”, deklaroi ai.

Kasmi e kritikoi ashpër opozitën për përpjekjen që të përfitojë nga situata. “Nuk mund t’i bashkohesh një lëvizjeje të dhunshme dhe të kërkosh të përfitosh politikisht prej saj pa marrë përgjegjësi. Kjo është paburrëri jo vetëm politike”, tha ai.

Sipas Kasmit, kryeministri Rama nuk duhet të japë dorëheqjen. Ai shtoi se e njëjta gjë do të vlente edhe për Berishën, po të ishte ai në krye të qeverisë. “Dorëheqja do të krijojë jo vetëm një vakum, por një precedent shumë të rrezikshëm”, tha ai.

Kasmi pyeti pse këto lëvizje nisin pikërisht tani, kur Shqipëria është afër mbylljes së negociatave me BE-në. “Këtu është e pamundur mos shkojë mendja që mund të ketë dhe ndonjë dorë që e kërkon këtë gjë”, tha ai. Sipas tij, për t’i shërbyer një interesi të huaj nuk duhen domosdoshmërisht para. “Mund të kesh një inat shumë të madh politik me dikë dhe thjesht që të ikë ky person nga qeverisja, le t’i vihet flaka Shqipërisë”, shtoi ai.

Historiani shprehu edhe shqetësimin për rrethanat gjeopolitike. “Mos jemi në prag të një furtune më të madhe, që i kalon kufijtë e këtij fshatit tonë, dhe nuk po e kuptojmë se ku po shkojmë?”, u pyet ai. Ai sqaroi se nuk synon të përhapë panik.

Për ANTIFA-n, Kasmi tha se ajo nuk është një organizatë me drejtues dhe strukturë. Sipas tij, është “një çati” që përfshin rryma të ndryshme të së majtës, nga socialistët te anarkistët.

Si rrugëdalje, Kasmi propozon që së pari situata të menaxhohet pa vënë në rrezik rendin kushtetues. “Qoftë dhe një ditë më pak dhunë në rrugë është një arritje”, tha ai. Ai shtoi se brenda Partisë Socialiste duhet të nisë një vetëreflektim.