Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rreth 1 mijë pedagogë firmosin peticionin: Rama të japë dorëheqjen

Rreth 1 mijë pedagogë firmosin peticionin: Rama të japë

Rreth 1 mijë pedagogë në Shqipëri kanë firmosur një peticion në mbështetje të protestës së të rinjve, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Nisma, e iniciuar nga Forumi për Dialog Politik i pedagogut Ermal Hasimja, ka marrë mbështetjen edhe të personave të lidhur me Partinë Demokratike dhe opozitën, mes tyre Jamarbër dhe Argita Malltezi, deputetja Ina Zhupa dhe ish-kryebashkiakja Voltana Ademi. Në deklaratën me pesë pika, pedagogët i bëjnë thirrje policisë të ndalë dhunën ndaj studentëve, përfaqësive diplomatike të reagojnë dhe qytetarëve t’u bashkohen protestuesve.

Deklarata e plotë

Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës, ne një grup pedagogësh:

1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.

2.⁠ ⁠I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhëra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.

3.⁠ ⁠I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.

4.⁠ ⁠I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.

5.⁠ ⁠I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë./dritare.net