Protestat në Milano. Meloni nxjerr ushtrinë në rrugë
Dritare.net

Dyqanet luksoze në Milano kanë mbyllur dyert më herët dhe kanë mbuluar vitrinat nga frika e rikthimit të trazirave, pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë gjatë fundjavës. Qeveria italiane pritet të dislokojë 500 ushtarë shtesë në qytet, ndërsa kryeministrja Giorgia Meloni po përgatit masa të reja për forcimin e sigurisë dhe frenimin e dhunës.
Zëvendëskryeministri Matteo Salvini njoftoi se 500 ushtarë të tjerë do të dërgohen për të mbrojtur Milanon. Dislokimi pritet të jetë pjesë e një pakete masash që do të shqyrtohet në mbledhjen e qeverisë të martën.

Në zonën e njohur të blerjeve luksoze, Via Montenapoleone, ku ndodhen marka si Chanel, Tiffany dhe Dior, shumë dyqane kanë hequr produktet nga vitrinat si masë paraprake. Ndërkohë, policia ka shtuar patrullimet në rrugët e qytetit.
Trazirat nisën pas një proteste fillimisht paqësore të shtunën, ku qytetarët shprehën pakënaqësi për shërbimet publike dhe rritjen e kostos së jetesës. Gjatë fundjavës, grupe protestuesish me kapuçë dogjën kosha mbeturinash, grabitën dyqane dhe dëmtuan prona. Mes bizneseve të sulmuara ishin edhe rrjetet tregtare Decathlon dhe Arc'teryx, si dhe operatori telefonik Vodafone.
Policia italiane bëri të ditur se të dielën u ndaluan 271 të rinj gjatë trazirave në Milano. Nga personat e shoqëruar në komisariate, 32 u arrestuan, mes tyre 23 të mitur dhe 13 shtetas të huaj. Gjithashtu, 28 persona të tjerë iu referuan autoriteteve gjyqësore.
Kryeministrja Giorgia Meloni zhvilloi të hënën një takim me ministrat dhe drejtuesit e sigurisë për të diskutuar situatën. Ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Antonio Tajani deklaroi se qeveria do të reagojë me vendosmëri ndaj sulmeve, duke përfshirë masa për të frenuar dhunën e të miturve.
Sipas raportimeve të medias italiane, Meloni po shqyrton mundësinë e zgjerimit të masave të ndalimit parandalues për të miturit dhe goditjes së grupeve të të rinjve të përfshirë në akte dhune. Disa prej këtyre masave mund të përshpejtohen përpara miratimit të një projektligji për sigurinë që po shqyrtohet nga parlamenti.
Përplasjet në Milano pasojnë incidente të ngjashme në qytete të tjera të Italisë veriore, përfshirë Bolonjën, Breshian, Bergamon dhe Torinon, ku të shtunën u arrestuan 28 protestues, sipas një raporti të policisë./dritare.net