Protestat/ Rama: Familjet e të miturve do paguajnë dëmet, studentët që dhunojnë policinë nuk do të kenë bursa
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa financiare dhe administrative ndaj familjeve të të miturve që përfshihen në akte dhune gjatë protestave, si dhe ndaj studentëve që sulmojnë efektivët e Policisë së Shtetit. Gjatë deklaratës së tij, Rama u shpreh se familjet e të miturve do të duhet të përballojnë faturën e dëmeve të shkaktuara, në rast se nuk marrin përgjegjësinë për veprimet e fëmijëve të tyre.
“Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t'ju përndjekë deri në fund”, deklaroi kryeministri.
Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu pasoja administrative për studentët që braktisin mësimin për t'u përfshirë në akte dhune ndaj policisë. Sipas tij, ata nuk duhet të përfitojnë bursa, arsim falas apo mbështetje financiare nga shteti.
“Studentët që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se paratë publike do të përdoren për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave, duke përmendur trotuaret, semaforët, kamerat e sigurisë, tabelat, stolat dhe pemët.
Gjatë fjalës së tij, Rama sulmoi disa media, për të cilët tha se po nxisin dhunë dhe sulme kundër Policisë së Shtetit.
Deklaratat e Ramës vijnë pas protestave të shoqëruara me përplasje dhe dëme materiale. Masat e paralajmëruara ndaj studentëve dhe familjeve të të miturve përbëjnë qëndrimin e kryeministrit; zbatimi i tyre do të varet nga baza ligjore dhe procedurat përkatëse./L.F-dritare.net