Lista e zezë e dhunuesve do ndalohet të hyjë në BE: Policia gjurmon financuesit dhe organizatorët
Dritare.net

Policia po harton një strategji të re, e cila thellon vëzhgimin dhe mbajtjen nën kontroll të personave që janë kapur duke kryer akte vandalizmi në Tiranë në emër të studentëve. Deri tani, rreth 200 personat e ndaluar janë në shumicë qytetarë të ardhur nga rrethet, kryesisht nga Veriu dhe Kosova, si dhe adoleshentë. Studentët zënë rreth 5 për qind të të ndaluarve, ndërsa të ardhurit nga Kosova pak më shumë.
Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se ndër masat që qeveria parashikon të marrë është krijimi i një liste të zezë të dhunuesve të qytetit, të cilët do të penalizohen duke mos u lejuar të hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian.
Një burim nga grupi i punës i tha gazetës se “të gjithë ata që kryejnë akte dhune do të përfshihen në një listë të zezë në sistemin TIMS dhe do të jenë aty që të mos lejohen të hyjnë në vendet e BE-së”.
Masat synojnë krijimin e një baze të dhënash me personat me prirje kriminale dhe të përfshirë në akte vandalizmi, për të cilën janë të interesuara edhe vendet e Bashkimit Evropian, për shkak të fenomeneve të ngjashme që po përjetojnë.
Tirana mund të përcjellë informacione dhe t’u kërkojë partnerëve vlerësimin e tyre, ndërsa vendimi për ndalimin e hyrjes do të mbetej në kompetencën e autoriteteve përkatëse të shteteve pritëse.
Sipas Kodit te Kufijve Schengen, Neni 6 i rregullores 2016/399, parashikohet, ndër kushtet për hyrjen e shtetasve të vendeve të treta për qëndrime afatshkurtra, që ata të mos konsiderohen kërcënim për rendin publik, sigurinë e brendshme ose marrëdhëniet ndërkombëtare të njërit prej shteteve anëtare. Pra, përjashtimi nga detyrimi për vizë nuk nënkupton një të drejtë të pakushtëzuar për të kaluar kufirin. Një vlerësim i rrezikshmërisë mund të justifikojë refuzimin e hyrjes, duke respektuar procedurat dhe garancitë e parashikuara. Në këtë rast, fusha e zbatimit territorial është hapësira Schengen, e cila nuk përputhet plotësisht me Bashkimin Evropian.
Instrumenti i dytë është Sistemi i Informacionit Schengen, SIS, i cili u vë në dispozicion vendeve pjesëmarrëse, sinjalizimet e regjistruara nga autoritetet kombëtare. Ndër to përfshihen sinjalizimet për refuzimin e hyrjes dhe të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta. Neni 24 i rregullores 2018/1861 parashikon regjistrimin e një sinjalizimi kur një shtet, pas një vlerësimi individual, ka konstatuar një kërcënim për rendin publik ose sigurinë dhe ka marrë masën përkatëse në përputhje me legjislacionin e vet.
Përtej kësaj, policia po studion edhe burimet e financimit të personave të angazhuar në akte dhune. Thuajse të gjithë të ndaluarit deklarojnë se dikush ua ka paguar udhëtimet dhe hotelet. Policia po heton hotelet ku ata deklarojnë se flenë, kryesisht në periferi të Tiranës, si dhe sponsorët e materialeve luftarake apo mjeteve piroteknike që përdorin.
Krijimi i një liste të zezë do ta ndihmojë ndërkohë policinë edhe si bazë për hetimin e akteve të tjera kriminale në të ardhmen.
Deri tani, policia po ndalon rregullisht mesatarisht rreth 50 deri në 60 veta në ditë, të cilët provojnë qartë se nuk janë studentë, por të rinj të angazhuar kundrejt pagesës.