Carlo Bollino: Tirana nuk është Far West-i, duhet të kemi guximin të dënojmë edhe vandalët, jo vetëm policët
Dritare.net

Ekziston një pyetje që, përballë çdo përplasjeje mes protestuesve dhe policisë, qytetari duhet t’ia bëjë vetes: A filloi dhuna e policisë përpara dhunës së demonstruesve apo pas saj? Kjo pyetje është thelbësore për të kuptuar nëse veprimi i policisë synonte të shtypte një demonstratë paqësore kundërshtimi (siç ndodh zakonisht në diktatura), apo të mbronte veten, institucionet ose qytetarët e tjerë nga sulmet e protestuesve.
Këto ditë dëgjohen vazhdimisht akuza kundër ndërhyrjeve të policisë, e cila pretendohet se po sulmon të miturit, por, nëse ia bëjmë vetes pyetjen fillestare, problemi merr një këndvështrim tjetër. A i ka goditur policia studentët e pambrojtur apo u është përgjigjur hedhjes së gurëve, molotovëve dhe fishekzjarrëve prej tyre? Studenti, vetëm për faktin se është student, nuk gëzon ndonjë imunitet të veçantë, ashtu siç nuk e gëzon as i mituri kur sillet si një i rritur i dhunshëm. Policia nuk mund ta shtypë me dhunë një manifestim paqësor, por ka detyrimin kushtetues të reagojë përballë një sulmi dhunshëm, në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Kjo do të thotë se, nëse një student hedh një gur, polici nuk mund të hapë zjarr dhe ta vrasë. Pikërisht kjo mungesë proporcionaliteti shkaktoi skandalin e 21 janarit, kur Garda e Sali Berishës hapi zjarr kundër demonstruesve të paarmatosur, duke vrarë katër prej tyre dhe duke plagosur më shumë se pesëdhjetë të tjerë, në shkelje hapur të parimit të proporcionalitetit. E megjithatë, pa pikë turpi, që prej asaj kohe Sali Berisha e ka mbrojtur dhe lavdëruar atë veprim, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i pandëshkuar nga autoritetet gjyqësore, madje edhe nga SPAK-u, i cili heton pa arritur të gjejë guximin për të goditur përgjegjësit e vërtetë.
Vetëm kaq do të mjaftonte për të treguar se sa hipokrite, e rreme dhe qesharake është reagimi i Sali Berishës, i cili këto ditë akuzon policinë sepse u përgjigjet sulmeve të protestuesve me ujë dhe gaz lotsjellës, edhe nëse bëhet fjalë për studentë. Por le ta lëmë mënjanë Sali Berishën, tashmë një zë i parëndësishëm në stuhinë politike që po zhvillohet. Po të gjithë të tjerët? Si është e mundur që analistët, gazetarët, blogerët, pedagogët e PD-së dhe përfaqësues të tjerë të botës politike nuk ndalen qoftë edhe për një çast për të dënuar edhe dhunën kundër institucioneve, por denoncojnë pa asnjë kriter vetëm vetëmbrojtjen e policisë duke refuzuar njekohesisht cdo oferta dialogu? Për të goditur politikisht Edi Ramën, kriminalizohet policia, por një shtet pa polici dhe pa dialog është kaos.
Nëse policia abuzon me pushtetin e saj, duhet denoncuar dhe ndëshkuar, por, po njësoj, duhen denoncuar dhe ndëshkuar edhe ata demonstrues që abuzojnë me protestën. Por këtë askush nuk guxon ta thotë.
Çfarë duhet të bëjë policia? Të qëndrojë dhe të shikojë, siç ndodhi më 15 tetor, kur nuk ndërhyri fare dhe ajo turmë protestuesish i vuri flakën gjysmës së Tiranës, duke shkatërruar dhe plaçkitur banka e dyqane? Pamjet që kemi parë gjatë këtyre shtatë ditëve në Tiranë u përsëritën për 48 orë edhe në Milano. E megjithatë, asnjë politikan italian, madje as krahët më ekstremë të opozitës, nuk ka guxuar të shprehë qoftë edhe një kritikë të vetme ndaj veprimtarisë së policisë dhe të gjithë, pa përjashtim, i kanë dënuar vandalët (pothuajse të gjithë të mitur), të cilët, me fytyrat e mbuluara, kanë sulmuar dhe plaçkitur dyqane e institucione. Një këngëtar shumë i njohur, Marracash, është mjaftuar duke thënë se «me sjellje të mira nuk i ndryshon gjërat», por e gjithë kategoria e artistëve po e izolon. Qeveria italiane ka njoftuar masa drastike policore për të garantuar rendin, përfshirë dërgimin e 500 ushtarëve, ndërsa në Francë, e përfshirë nga të njëjtat akte dhune, është vendosur shtetrrethimi. Në Tiranë, analistët me vila që kushtojnë miliona euro janë skandalizuar edhe sepse RENEA është rreshtuar tjesht për të mbrojtur godinën e Kryeministrisë, duke nxitur kështu edhe më shumë urrejtje.
Asnjë media italiane, ndryshe nga çfarë ndodh në Shqipëri, nuk ka mbajtur anën e plaçkitësve, madje as ato që e urrejnë kryeministren Giorgia Meloni dhe kërkojnë dorëheqjen e saj për një mijë arsye të tjera. Në Itali, shoqëria civile është rreshtuar në krah të policisë dhe të tregtarëve të grabitur, shumë prej të cilëve kanë mbrojtur gjithashtu dyqanet e tyre duke marrë në duar shkopinj, pa kërkuar mëshirë përmes copëzave të letrës me mesazhe të rreme solidariteti, të ngjitura në vitrinat që ende nuk ishin thyer, siç kemi parë të bëhet në Tiranë. «E mbështesim protestën tënde, por të lutem, mos ma shkatërro dyqanin».
Sot një avokat, duke u bërë zëdhënës i delirimeve dhe gënjeshtrave që prej ditësh po qarkullojnë në rrjetet sociale, është paraqitur në SPAK dhe, pa treguar asnjë respekt as për profesionin që përfaqëson, ka dorëzuar një kallëzim kundër qeverisë dhe policisë shqiptare, duke i akuzuar për «gjenocid»!! Ajo e ka krahasuar atë që po ndodh në Gaza me atë që po ndodh në Tiranë. Tashmë po shkohet jo vetëm përtej arsyes, por edhe përtej kufijve të qesharakes.
Një Shtet ndërtohet duke respektuar Kushtetutën, e cila nuk mund të vihet kurrë në dyshim, as edhe kur pasioni politik na verbon dhe urrejtja rrezikon të marrë përparësi. Qeveritë ndryshohen me votë dhe jo me bomba molotov. Kush zgjedh dhunën si mjet shantazhi dhe refuzon dialogun si mënyrë për të arritur një marrëveshje, është jashtë kontekstit të demokracisë. Është një barbar dhe një pirat, si në Far West-in e largët, ku drejtësia vihej në vend vetëm duke qëlluar i pari.