Marta Kos nga Budva: Për Shqipërinë është vendimtare ruajtja e ritmit drejt BE-së
Dritare.net

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka vënë theksin te rëndësia e vijimit të reformave dhe ruajtjes së ritmit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, ajo i cilësoi këto hapa si vendimtarë për rrugën europiane të vendit, duke veçuar sfidat që kanë përpara edhe Mali i Zi, Serbia dhe Kosova.
"Mali i Zi është vendi që kam vizituar më shpesh gjatë këtij viti, çka është normale për sa kohë që Mali i Zi është në pararojë të procesit të zgjerimit. Jam gjithmonë e lumtur të rikthehem dhe të shoh se si një shtet që është i vendosur për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian po përparon. Kemi përpara javë dhe muaj me momente vendimtare. Për Malin e Zi, momenti vendimtar do të jetë kalimi i vijës së finishit të procesit të anëtarësimit. Për Serbinë, moment vendimtar janë zgjedhjet të dielën e ardhshme. Për Shqipërinë, moment vendimtar është ruajtja e ritmit në rrugën drejt Europës. Dhe, sigurisht, edhe për Kosovën, një zgjedhje vendimtare është të vazhdojë të veprojë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit. Është një gjë e mirë që liderë nga rajoni dhe ndërkombëtarë janë mbledhur në kuadër të Procesit të Berlinit në këtë vend të bukur të Malit të Zi.", tha Kos./K.C/dritare.net