Sherri në Kuvend/ Komisioni i Etikës pranon kërkesën e PS, përjashton me 60 ditë 6 deputetët e PD
Dritare.net

Sekretariati i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin me 60 ditë nga punimet parlamentare të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, pas përplasjeve fizike gjatë seancës plenare të së enjtes. Për 14 deputetët e tjerë demokratë, ndaj të cilëve Partia Socialiste kërkoi 10 ditë përjashtim, kërkesa është rrëzuar.
Vendimi u mor sot gjatë një mbledhjeje online të Sekretariatit të Etikës, ku u shqyrtua kërkesa e grupit parlamentar të PS-së për masa disiplinore ndaj 20 deputetëve të opozitës.
Deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri janë përjashtuar për 60 ditë, për shkak të përfshirjes në incidentet fizike të regjistruara në sallën e Kuvendit.
Gjatë seancës së djeshme, tensionet degjeneruan në përplasje fizike. Sipas pretendimeve të paraqitura nga PS në kërkesën drejtuar Etikës, Flamur Noka sulmoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Ndërsa Fidel Kreka akuzohet se goditi me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.
Në kërkesën e socialistëve përmendeshin gjithashtu Belind Këlliçi, Edi Paloka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri, të cilët akuzoheshin për fyerje dhe goditje me shishe uji ndaj deputetëve të PS-së.
Ndërkohë, Etika ka rrëzuar kërkesën për përjashtimin me 10 ditë të 14 deputetëve të tjerë demokratë: Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Sipas kërkesës së PS-së, këta deputetë kishin marrë pjesë në bllokimin e foltores së Kuvendit, duke penguar zhvillimin normal të seancës plenare./dritare.net