Tension para Kryesisë së Kuvendit, protestuesit përplasen me Erion Braçen
Dritare.net

Tensione janë shënuar këtë të premte para Kryesisë së Kuvendit, ku qytetarë nga Memaliaj protestuan kundër bashkimit të kësaj bashkie me Tepelenën, në kuadër të reformës administrativo-territoriale.
Gjatë protestës, deputeti socialist Erion Braçe është afruar pranë qytetarëve për të komunikuar me ta dhe për të dëgjuar kundërshtimet e tyre lidhur me ndryshimin e hartës administrative.
Por takimi është shoqëruar me tensione, pasi disa prej protestuesve e kanë sulmuar verbalisht deputetin dhe e kanë fyer gjatë përplasjes mes palëve.
Njeri prej banorëve i ka hedhur ujë Braçes në fytyrë, ndërkohë që në momentet e tensionit deputeti i opozitës Tritan Shehu, ndërhyri duke e larguar Braçen, larg turmës!
Protesta po zhvillohet paralelisht me mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohen propozimet për reformën administrativo-territoriale. Ndryshimet e propozuara kanë sjellë debate të forta politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa qytetarët e Memaliajt kanë shprehur publikisht kundërshtimin e tyre ndaj bashkimit me Tepelenën. /L.F-dritare.net