Na ndiqni edhe në

Shëndet

Pse dhjami i trupit nuk është armiku ynë!

Pse dhjami i trupit nuk është armiku ynë!

Për vite me radhë, dhjami i trupit është trajtuar si diçka që duhet zhdukur. Kultura e dietave na nxit ta "djegim", industria ushqimore promovon produkte me pak yndyrë, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me këshilla se si të arrihet një trup sa më i "thatë" dhe me muskuj të theksuar.

Sipas ekspertëve, këtë vit po rikthehet trendi i dobësimit të tepruar, i nxitur pjesërisht nga popullariteti i ilaçeve për humbje peshe. Por, ndonëse dhjami i tepërt sjell probleme shëndetësore dhe mund të çojë në obezitet, mjekët paralajmërojnë se edhe mungesa e tij është e dëmshme.

"Duhet ta duam dhjamin tonë. Ai luan një funksion biologjik shumë të rëndësishëm," thotë Elif Oral, endokrinologe dhe profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Miçiganit.

Një organ aktiv, jo thjesht rezervë

Ekspertët dallojnë dy lloje yndyre: atë që marrim nga ushqimi dhe dhjamin e trupit, i cili ruan energjinë që organizmi nuk e përdor menjëherë. Kur hamë më shumë kalori sesa konsumojmë, qelizat dhjamore i ruajnë lëndët ushqyese të tepërta dhe zmadhohen.

Sot dihet se dhjami nuk është një masë pasive, por një organ aktiv që rregullon funksione të rëndësishme të trupit. Mikael Ryden, profesor në Institutin Karolinska në Suedi, e krahason atë me një kasafortë që merr energji kur ka me bollëk dhe e liron vetëm kur është e nevojshme. Ky sistem, sipas tij, i ndihmoi paraardhësit tanë të mbijetonin periudhat e urisë.

Dhjami prodhon edhe hormone që i tregojnë trupit sa energji ka në dispozicion. Më i njohuri prej tyre është leptina. Sipas Oral, kur leptina i sinjalizon trurit se rezervat janë të mjaftueshme, trupi mund të përqendrohet te procese si riprodhimi dhe mbrojtja nga infeksionet. Pa të, truri hyn në gjendje alarmi dhe disa funksione thelbësore lihen pas dore.

Dhjami ndihmon edhe në ruajtjen e temperaturës: dhjami i bardhë vepron si shtresë izoluese, ndërsa dhjami kafe dhe bezhë djegin energji për të prodhuar nxehtësi.

Çfarë ndodh kur dhjami është shumë pak

Rreziqet e dhjamit të tepërt janë të njohura: sëmundje kardiovaskulare, diabet i tipit 2, disa lloje kanceri dhe osteoartrit. Por sipas studiuesve, edhe e kundërta ka pasoja serioze.

"Pak ind dhjamor çon në çrregullime të funksionit të organeve dhe të trupit," thotë Jessica Maung, studiuese e sëmundjeve metabolike në Universitetin e Miçiganit.

Kur rezervat bien shumë, trupi kalon në regjim kursimi, si në gjendje urie. Funksioni imunitar dobësohet, muskujt nisin të shpërbëhen dhe kockat nuk riparohen më si duhet. Kjo, sipas profesorit Fredrik Karpe nga Universiteti i Oksfordit, rrit brishtësinë dhe rrezikun e frakturave. "Kjo nuk është një situatë e shëndetshme," thotë ai, duke shtuar se trupi mbetet pa rezerva për të përballuar një infeksion të rëndë apo një urgjencë mjekësore.

Mungesa e dhjamit ndikon edhe te hormonet. Te burrat mund të bjerë testosteroni, bashkë me energjinë dhe performancën fizike, ndërsa disa atlete me shumë pak dhjam përjetojnë cikël të çrregullt ose ndërprerje të plotë të tij.

Disa studime kanë gjetur se pesha shtesë në moshë të mesme dhe të vjetër lidhet me shanse më të mira mbijetese gjatë sëmundjeve kritike. Ky fenomen njihet si "paradoksi i obezitetit": njerëzit me obezitet rrezikojnë më shumë sëmundje kardiovaskulare, por kanë më pak gjasa të vdesin prej tyre se personat më të dobët me të njëjtën sëmundje. Në rastet ekstreme, si anoreksia nervore, mungesa e dhjamit mund të shkaktojë dëme afatgjata në organe dhe madje vdekje.

Sa dhjam na duhet?

Nuk ekziston një përqindje e vetme që vlen për të gjithë. Si udhëzues i përgjithshëm, burrat e rritur të shëndetshëm kanë zakonisht 10–20% dhjam trupor, ndërsa gratë 20–29%. Te personat me obezitet, kjo shifër kalon 30%.

"Është shumë e vështirë të përcaktohet një diapazon i saktë," thotë Ryden, pasi ai ndryshon sipas personit, gjinisë dhe përkatësisë etnike.

Te atletët, përqindja zakonisht është më e ulët. Studiuesja Tamara Hew-Butler nga Universiteti Shtetëror Wayne në Detroit dhe kolegët e saj skanuan mbi 700 atletë. Niveli më i ulët i gjetur ishte 10% te një mashkull dhe 16% te një femër, ndonëse disa prej tyre besonin se kishin vetëm 1–2% dhjam.

Ka rëndësi edhe ku ruhet dhjami. Dhjami visceral, ai i barkut, mbështjell organet e brendshme dhe çliron substanca inflamatore që rrisin tensionin e gjakut dhe pengojnë veprimin e insulinës, duke rritur rrezikun për diabet të tipit 2.

Si matet dhjami

Matja më e saktë bëhet me skanerin Dexa, i cili dallon dhjamin, masën muskulore dhe atë kockore, por kërkon pajisje të specializuara dhe është e kushtueshme. Testi me kaliper, që mat trashësinë e palosjeve të lëkurës, është më i thjeshtë, por jo shumë i saktë dhe nuk mat dhjamin visceral. Edhe peshoret "inteligjente" japin vetëm vlerësime të përafërta, pasi rezultatet ndikohen nga sasia e lëngjeve në trup dhe nuk tregojnë ku ndodhet dhjami.