Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Temperaturat drejt rekordeve të reja! Pse po bën kaq nxehtë?

Një valë e fortë të nxehti ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime të nivelit më të lartë për rrezikun ndaj jetës së njerëzve.

Shërbimi Meteorologjik britanik (Met Office) ka shpallur një paralajmërim të rrallë të kuq për temperatura ekstreme, i cili do të jetë në fuqi në pjesë të Anglisë dhe Uellsit nga mëngjesi i së mërkurës deri të enjten në mbrëmje. Meteorologët parashikojnë që temperaturat në disa zona të arrijnë deri në 38-39 gradë Celsius, nivele që konsiderohen të pazakonta për Britaninë.

Paralajmërimi i kuq nënkupton rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e njerëzve, si dhe mundësi për ndërprerje të energjisë elektrike, probleme në transport dhe dëmtime të infrastrukturës.

Por vala e të nxehtit nuk kufizohet vetëm në Britani. Franca, Spanja, Gjermania dhe vende të tjera europiane po përballen me temperatura ekstreme. Në Francë, qindra shkolla janë mbyllur për shkak të vapës së fortë, ndërsa autoritetet kanë kërkuar kujdes të shtuar për grupet më të rrezikuara.

Pse po bën kaq nxehtë?

Sipas meteorologëve, temperaturat rekord janë rezultat i një kombinimi faktorësh atmosferikë.

Një sistem i fuqishëm presioni të lartë është vendosur mbi Europë, duke vepruar si një "kapak" që bllokon ajrin e nxehtë pranë sipërfaqes së tokës. Në të njëjtën kohë, gjatë kësaj periudhe të vitit, rrezatimi diellor është maksimal dhe toka merr më shumë energji nga Dielli sesa humbet.

Për Britaninë, situata përkeqësohet edhe nga erërat jugore që transportojnë masa të nxehta ajri nga Europa kontinentale, ku temperaturat janë gjithashtu në nivele rekord.

Një tjetër faktor është thatësia e tokës. Pas periudhave me pak reshje, sipërfaqja e tharë nuk përdor energjinë e Diellit për të avulluar lagështinë, por e shndërron pothuajse të gjithë atë në nxehtësi, duke rritur temperaturën e ajrit.

Ndryshimet klimatike po rrisin ekstremet

Ekspertët e klimës paralajmërojnë se valë të tilla të nxehti po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive për shkak të ndryshimeve klimatike.

Sipas tyre, një rekord i vetëm temperaturash nuk provon ndryshimet klimatike, por fakti që rekordet po thyhen vazhdimisht në kontinente dhe stinë të ndryshme tregon se fenomenet ekstreme po bëhen më të zakonshme.

Një tjetër shqetësim janë temperaturat e larta gjatë natës. Në shumë qytete pritet që temperaturat të mos zbresin nën 20-21 gradë Celsius, duke krijuar të ashtuquajturat "netë tropikale". Kjo nuk i jep mundësi trupit të freskohet dhe rrit rrezikun për probleme shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Meteorologët paralajmërojnë se kjo mund të jetë një nga valët më intensive të të nxehtit të viteve të fundit në Europë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje./L.F-dritare.net