Na ndiqni edhe në

Bota

BBC: Keir Starmer dorëhiqet të hënën!

Marrë nga BBC

Janë shtuar ndjeshëm sinjalet se kryeministri britanik, Keir Starmer, mund të shpallë dorëheqjen e tij që të hënën, ndërsa brenda qeverisë dhe Partisë Laburiste po rritet bindja se ndryshimi në drejtim është i pashmangshëm. Edhe pse Starmer ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të largohet dhe do të përballet me çdo sfidë ndaj lidershipit të tij, burime qeveritare thonë se në 48 orët e fundit klima politike ka ndryshuar ndjeshëm. Sipas tyre, kryeministri po shqyrton mundësinë e shpalljes së një kalendari për largimin nga detyra.

Sekretari britanik i Biznesit, Peter Kyle, deklaroi për BBC se Starmer do të bëjë "atë që është në interesin më të mirë të vendit", duke lënë të kuptohet se kryeministri po reflekton mbi sfidat politike me të cilat përballet.

Presioni ndaj Starmer është shtuar pas rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme në Makerfield, ku Andy Burnham shënoi një fitore bindëse. Shumë deputetë laburistë besojnë se Burnham është figura që mund të përballet më mirë me sfidën e partisë Reform UK të drejtuar nga Nigel Farage.

Ndërkohë, dhjetëra deputetë laburistë, si dhe disa ministra të kabinetit, kanë kërkuar largimin e Starmerit. Raportohet se ministra të rëndësishëm, përfshirë Yvette Cooper, Shabana Mahmood dhe Heidi Alexander, ia kanë komunikuar privatisht kryeministrit se duhet të japë dorëheqjen.

Nëse Starmer largohet, Burnham konsiderohet aktualisht favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Partisë Laburiste dhe për t'u bërë kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse do të ketë një garë të plotë për lidershipin, pasi emri i Wes Streeting vazhdon të përmendet si një kandidat i mundshëm.

Brenda Laburistëve ka gjithashtu debate mbi kohën e tranzicionit. Disa mbështetës të Burnham kërkojnë që ai të marrë drejtimin rreth konferencës vjetore të partisë në fund të shtatorit, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se një periudhë e gjatë tranzicioni do të paralizonte funksionimin e qeverisë.

Në të njëjtën kohë, po spekulohet edhe për përbërjen e kabinetit të ardhshëm. Një nga çështjet më të diskutuara është se kush do të emërohej ministër i Financave, ndërsa emri i Ed Miliband po shkakton debate të forta brenda krahut të djathtë të Partisë Laburiste.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Partisë Laburiste dhe të politikës britanike./dritare.net