Protesta që e di cilët do të heqë nga puna, por jo cilët dëshiron të marrë në punë
Dritare.net

Nga Skënder Minxhozi
Nëse i pyet ato mijëra të rinj, familjarë, aktivistë, opozitarë fshehur ose të deklaruar ose të ardhur nga emigrimi me makina të shtrenjta, se cilin duan të rrëzojnë me protestën e tyre, përgjigja është ajo më e thjeshta: Edi Ramën. Shtojnë edhe Berishën për të qenë “politikisht korrektë”. Nëse nga ana tjetër i pyet se cilët protestuesit i sotëm do të vendosë në këto dy poltrona të larta dhe në të tjera akoma që revolucioni do të boshatisë gjatë rrugës, përgjigja mjegullohet, shikimet bëhen të pasigurta dhe fjalët fillojnë e rrëshqasin: po ja, ne protesta do të marrim pushtetin, ne do të pastrojmë Shqipërinë. Seç të kujtohet partizani Meke i shtrirë në krevatin e perëndorit që thotë në ajër plot vetësiguri “tani jam vetë Perandor”!
I pari reagim i protesuesve është një përgjigje e qartë, i pëlqen ose jo shumicës së shqiptarëve. Duan të rrëzojnë ata që janë në pushtet. Por e dyta nuk mund të quhet përgjigje. Ajo është në fakt një faull e rëndë që do e dëmtojë protestën shumë përtej ngulfatjes së sheshit të tre javëve të para, kur romantika fiton mbi arsyen e ftohtë dhe idealizmi mbi llogaritë e pushtetit.
Çeshtja e identitetit të lidershipit që qëndron pas protestës ka qenë në krye të diskutimeve në Tiranën politike e mediatike qysh në ditët e para të shfaqjes të këtij fenomeni që më pas u kthye në ritual të përditshëm. Pas tre javësh protestën aktuale e kemi sërish pa kokë. Ka foni, ka aktivistë që i rrijnë pranë, ka banderola dhe parulla të qëlluara, shumë hare dhe njëherësh edhe shumë dinamizëm rinor e mllef kundër qeverisë, por s’ka asnjë emër që të konsiderohet si kreu apo krerët e protestës.
Një protestë pa kokë është de facto një turmë amorfe që shfryn dufin e saj për problemet që kalon vendi. Dhe kjo vlen vetëm për atë pjesë të saj që realisht ka dalë aty në emër të halleve që ndjen mbi lëkurë. Sepse këto orë po duket e qepur si me pe të bardhë mbi telajon e protestës një mozaik laraman partiakësh të vegjël me kalkulatriçe në dorë, të tjerë partiakë që për 13 vjet s’panë veçse humbje e tani kujtojnë se tani më në fund ja dolën me Ramën, mërgimtarësh që s’kanë ardhur në atdhe ndoshta as kur ju kanë vdekur të afërmit por shfaqen tani si me magji, albinistë që vijnë me kamion nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ashtu si edhe një lukuni magjistarësh të rrjetit social, personazhe qesharakë studiosh e portalesh që kanë vite që thonë të njëjtat gjëra dhe që shpresojnë se erdhi koha për të kapur një copë në “qeverinë teknike”. Duhet të ketë nja 50 portofole kjo qeveri mesa kemi lexuar në rrjetin e çmendur social shqiptar, që t’i ngopë të gjithë këta karrieristë të minutës së fundit./javanews.al