Na ndiqni edhe në

Bota

Mund të mos rikthehem për një kohë të gjatë! Ariana Grande surprizon fansat

Ariana Grande është rikthyer në skenat britanike pas gjashtë vitesh, duke nisur në Londër pjesën e turneut të saj “Eternal Sunshine”. Mijëra fansa mbushën arenën “O2”, duke e pritur këngëtaren mes duartrokitjeve, këngëve dhe koreografive të improvizuara.

Koncerti dyorësh tregoi edhe një herë fuqinë vokale të Grandes, e cila interpretoi live këngë të njohura si “Into You”, “Break Free”, “7 Rings” dhe “Dangerous Woman”. BBC vlerëson se zëri i saj me një shtrirje prej katër oktavash ishte në qendër të spektaklit, ndërsa skenografia dhe koreografitë shërbyen si plotësuese.

Turneu është i lidhur ngushtë me albumin “Eternal Sunshine” dhe me historinë personale të artistes, e cila përmes këngëve trajton dhimbjen, humbjen dhe mënyrën se si njeriu mëson të jetojë me kujtimet e vështira.

Gjatë koncertit, Grande u shfaq e emocionuar teksa interpretoi baladën “Hampstead”, ndërsa një tjetër moment që tërhoqi vëmendjen ishte ndryshimi i tekstit të “Thank U, Next”, ku ajo hoqi referencën e drejtpërdrejtë ndaj ish-partnerit Ricky Alvarez.

Këngëtarja pritet të zhvillojë edhe 10 koncerte në Londër, përpara përfundimit të turneut në shtator. Ajo u ka thënë fansave se pas këtyre shfaqjeve mund të largohet nga skena për një periudhë shumë të gjatë.

Vendimi vjen pas një periudhe të vështirë për artisten, e cila është përballur me vëmendje intensive mediatike dhe komente të shumta mbi jetën e saj personale dhe pamjen fizike. Grande ka deklaruar se tërheqja nga skena është një vendim i menduar gjatë dhe i marrë nga një pozicion i fuqizuar.

Fansat në Londër e pritën vendimin me mbështetje, ndërsa shumë prej tyre e cilësuan koncertin si një nga performancat më të mira të Grandes dhe shprehën shpresën që këngëtarja të rikthehet në skenë pas pushimit./K.C/dritare.net