
Në episodin e 73-të të “Kamera e Gjyshit” në Dritare TV, Mjeshtri i fotografisë, Stefan Gajo sjell pamje të rralla nga rikthimi i Ismail Kadaresë në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist.
Shkrimtari mbërriti nga Franca, i shoqëruar nga një ekip televiziv francez, që dokumentoi çdo moment të vizitës së tij. Në aeroportin e Rinasit, Kadare u prit nga miq, bashkëkohës dhe lexues, ndërsa gjatë qëndrimit zhvilloi edhe takime të nivelit të lartë shtetëror.

Por momenti më domethënës i vizitës ishte mbërritja e tij në Arkivin e Shtetit. Pas largimit nga Shqipëria dhe kërkesës për azil politik në Francë, dorëshkrimet, ditarët, shënimet dhe draftet e pabotuara të shkrimtarit ishin konfiskuar nga regjimi komunist dhe mbyllur në arkiv.
Bisedat në shqip dhe frëngjisht, kërkimi mes dokumenteve dhe identifikimi i veprave e kthejnë këtë vizitë në një moment të veçantë historik./dritare.net