Zjarri në hotelin në Vlorë, Ministria e Shëndetësisë: Një vajzë ka djegie të shumta
Dritare.net

Pesë personat e lënduar nga zjarri që përfshiu një hotel në Vlorë janë transportuar në Tiranë për të marrë trajtim të specializuar mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se tre prej të lënduarve po trajtohen në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje të rënduar, për shkak të djegieve të shumta, dhe po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Një tjetër pacient, sipas Ministrisë, paraqitet klinikisht më i qetë.
Ndërkohë, dy persona të tjerë ndodhen në Spitalin e Traumës, pasi kanë pësuar fraktura si pasojë e hedhjes nga ballkoni, në përpjekje për t’i shpëtuar flakëve.
“Informacion mbi gjendjen e të lënduarve pas zjarrit në një hotel në Vlorë:Si pasojë e zjarrit të rënë në një hotel në Vlorë, në QSUT janë paraqitur tre qytetarë, të cilët aktualisht po marrin trajtim mjekësor.
Njëra prej pacienteve është në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve, ndaj kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor.
Pacienti tjetër klinikisht paraqitet më i qetë dhe po ndiqet nga stafi mjekësor.
Ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy paciente, të cilat janë paraqitur me dëmtime të shumta.
Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor.
Pacientja tjetër, gjendja shëndetësore e së cilës është aktualisht e stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të vijojë të mbahet në monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.
Stafet mjekësore do vijojnë të ndjekin me kujdes gjendjen shëndetësore të pacientevë duke ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor”, shkruan Ministria e Shëndetësisë./K.C/dritare.net