Përtej entuziazmit të Sali Berishës për hetimin ndaj kreut të SHISH!
Dritare.net

Nga Ylli Pata
Lajmi mbi hetimet ndaj kreut të SHISH, Vlora Hysenit është shumë i fortë. Një drejtues i shërbimit sekret nuk është një ministër i thjeshtë, nuk është një drejtues i rëndësishëm enti të fuqishëm shtetëror.
Një shef i shërbimit sekret, është kryeroja i shtetit, sekreteve të tij, por edhe hijeve të tij. Në vende me kulturë perandorake, me traditë të gjatë pushteti, kreu i një shërbimi të tillë është vizatuar me kujdes me veti e karakter mitik e magjik.
Në Mbretërinë e Bashkuar, deri sa në qeveri erdhi Tony Blair, askush nuk e njihte për fytyrë kreun e MI5-s. Shkrimtarët e romaneve të spiunazhit ishin të gjithë punonjës të këtij shërbimi emblematik që i furnizonte lëndën e parë për aventura që kanë mahnitur botën.
Jan Flaming, natyrisht është më i bujshmi me sagën e Agjentit 007, por lista është shumë e gjatë, e ka edhe nobelistë. Graham Green, John Le Carre etij etj.
Por edhe pse ka emra kaq të mëdhenj në letërsinë botërore, ku shumica e këtyre shkrimtarëve të talentuar e të mirëshkolluar, edhe ne shqiptarët kemi një perlë të xhevahirit të letërsisë së spiunazhit. Çuditërisht jo nga një punonjës i sekreteve të mëdha, por nga një shkrimtar klasik, tipik e shumë i famshëm. Është Ismail Kadare me Dosja H, e Dull Baxhanë mitik që ka pasuruar këtë letërsi, jo vetëm në trevat shqiptare.
Edhe për shërbimin shqiptar ka vepra letrare, të shkruara një pjesë prej punonjësve të tij, por edhe nga mitomanë e shkrimtarë tallava, që i kemi me shumicë. Ende sot mediat janë të mbushura me rrëfimet e sjella nga Sigurimi.
Për të mos folur për tmerret e SHIK-ut e një mësuesi matematike që e ktheu shërbimin sekret në një bandë horrash që sot i ke në politikë, biznes e mbi të gjitha në media.
Shtetet e mëdha, kanë pasur raste kur kreu apo një zyrtar i madh në shërbim del pak si me probleme, apo ka kryer krime. Marrja dhe eleminimi i tij bëhet përgjithësisht pa zhurmë. Fare pa zhurmë. Shembuj ka që nga CIA, MI5, Mossad.
Italia për shembull që ka disa shërbime të fshehta është një ekselencë në këtë fushë, se vjen nga Roma e madhe. Edhe pse në Italinë republikane kanë ndodhur mjaft probleme e çështje me “Servizi” ata e kanë zgjidhur “in silenzio”.
Megjithatë Shqipëria nuk është një vend perandorak, është një “protektorat ndërkombëtar”, ku ka një pushtet të përbindëshëm që të rras në burg(që kujdestarohet nga BE), i cili ka mundësi të pakufishme.
SPAK, logoja verbuese e këtij pushteti ka vënë duart mbi gruan misterioze me emrin Vlora, por që është nga Kosova.
Një mit, që drejton SHISH-in e të tmerrshmit Bashkim Gazidede dhe profesorit-analist, Fatos Klosi, por që dihet shumë pak për të. Ama zhurma e bëmat janë shumë të mëdha, sidomos për rëndësinë e peshën që ka ajo në piramidën e sekreteve të vendit.
Ky është lajmi i ditës, të cilin e ka bërë viral edhe Fevziu në videot e tij popullore që skrollohen në rrjetet sociale.
Një lajm që do të flitet shumë; me zhurmë nga trogloditët e hetimeve nga TV e panele, nga qefllinjtë e konspiracioneve, por edhe nga aktivistët e revolucioneve digjitale.
Në gjithë këtë zulm ka hyrë Sali Berisha. i cili është i pandehur në një proces të madh për korrupsion, ku prokurorët e gjyqtarët e kanë lënë të lirë, madje edhe të mbajë konferenca para SPAK, ka marrë përsipër se është ideatori i këtij lajmi. Për korrektesë; kontributori më i madh.
Pyetja që vjen spontane është: Vertetë hetimi ka nisur nga Sali Berisha, apo edhe nga Ervin Salijanji që gjithashtu është një klon i tij dhe merr përsipër autorësinë digjitale?
Përgjigja më e thjeshtë është: se nëse do të ishte kështu, SPAK e kontrollon Berisha e Salianji, por gjërat janë më të komplikuara.
Dhe natyrisht që në ditët në vijim ka për tu bërë edhe një betejë e ashpër në Tiranë. E cila nisi që me revoltën e gjyqtarëve, e cila shpalli fazën e dytë e flamingove.
Këtu s’ka dyshime, pritej. Madje e pret edhe Edi Rama, i cili po bën prej qershorit betejën me shefat realë të flamingove. Por këtu duket se Sali Berisha mundohet të hyjë në fushë, ngaqë ngjan i tepërt dhe i padëshiruar.
Rama, në seancën e fundit i tha në Kuvend Jorida Tabakut se nuk ke punë me flamingot se s’të duan, lërë më Berisha.
Por ky i fundit tenton të hyjë në lojë ngaqë çdo ditë që kalon është i tepërt jashtë fushës. Ndërsa për faktorët realë të opozitës së vërtete, që janë sot në pjesën më të fuqishme të shtetit ai është i dëmshëm.
Imagjino t’i kujtojë Taulant Balla në Parlament Bashkim Gazideden dhe e gjithë gjëja shkon për bojë. Po doktori atë kërkon se s’ka ç’bën, e përveç të tjerave nuk ka fare kompleks për skeletet e tij të frikshme në dollap. Është një veti që pak sundues e politikanë e kanë…