Na ndiqni edhe në

Editorial

Po sikur të kthehet ligji i para 2008-ës!

Po sikur të kthehet ligji i para 2008-ës!

Nga Dritan Hila

Ka po aq vite sa është miratuar, që politikanët e partive të vogla ose qejflinjtë e politikës, anatemojnë ndryshimet e vitit 2008, duke e cilësuar këtë si regres të demokracisë dhe politikës. Fillojnë me argumentin se nuk përfaqëson vullnetin e popullsisë, apo se numri i votave që marrin nuk është i barabartë me numrin e deputetëve.

Teorikisht kanë të drejtë por praktikisht është spekulim.

Kush ka disa vite moshë, e mban mend se para vitit 2008, parlamenti shqiptar përjetonte kriza të shpeshta qeveritare. Parti me një deputet kërkonin nga dy ministri; deputetë të zgjedhur nga sigla që askush nuk di si përkthehen, trazonin ujëra dhe bërtisnin më shumë se të partive të mëdha; kryeministrat detyroheshin të qeverisnin më zëvendësministra si në rastin Nano apo të shisnin lëkurën lirë si në rastin Berisha ku LSI e diskreditoi më shumë se gjithë qeverisja e saj.

Të gjitha këto edhe mund të harroheshin nëse do na kujtohet ndonjë iniciativë ligjore apo akt sublim i këtyre partive mikroskopike. Asnjë. E gjitha lidhej e pështillej tek ndonjë favor apo drejtori që të mund të zhvatnin në tendera apo sportelet e publikut.

Viti 2008 nuk erdhi vetëm si dëshirë e Ramës apo Berishës. Ato ndryshime ishin të domosdoshme dhe patën edhe miratimin e ndërkombëtarëve. Është e vërtetë që ndërkombëtarët kërkojnë mbi të gjitha stabilitetin, sikurse është po aq e vërtetë që demokracia nuk ka lidhje me kakofoninë parlamentare dhe as është një shkollë që mësohet brenda ditës. Ajo ka lidhje me traditën, standardin e jetesës dhe nivelin kulturor të popullsisë, tre kushte që Shqipëria i ka për ibret. Ndaj ka vende që jo më kot kanë mënyra të tjera për të ndaluar kakistokracinë që sjell gjithfarë lloj malli në parlament. Për shembull Turqia ka një nivel prej 10% të hyrjes në parlament. E di që puritanët shqiptarë do preken, por e vërteta është që niveli ynë i perceptimit dhe ushtrimit të demokracisë, nuk është larg i atij të popullsisë turke.

Gjithashtu nuk duhet harruar që politika është profesion dhe si e tillë, sistemet e hapura mund të sjellin gjithfarë tipash në sallën e parlamentit. Dikush mund të thotë që as i yni nuk shkëlqen. E pra, ka edhe më keq.

Shkaku tjetër është mungesa e asaj që quhet administratë profesioniste, deep state, i cili ruan linjat shtetërore nga humoret e ditës të popullatës. Ne nuk e kemi. Përkundrazi, politikanët kanë lidhje të shkurtra me administratën. Ndaj duhet kujdes në atë çfarë çojmë në parlament dhe mos ti lihet humorit të një pjese të popullsisë që ndryshon me ditë.

Edhe ata që kritikojnë këtë sistem, nuk mund të sjellin shembuj se çfarë të reje kanë sjellë ata deputetë të partive të vogla që janë në parlament përveç sherreve, apo çfarë projektligjesh kanë ofruar (përjashto qiqrat ne hell)? Asgjë e asnjë.

E vërteta është që nëse krijon frymë, nëse ofron alternativa, nëse je i besueshëm, asgjë nuk të pengon të bëhesh shumicë. Pastaj nëse do që të luash futboll me rregulla basketbolli, shko luaj hendboll./dritare.net