
Nga Dritan Hila
Protesta tashmë është rikthyer në rutinën e përditshme, ku marrin pjesë rreth 100 protestues dhe 2-300 për dekor, me disa përjashtime nga e shkuara pasi ende përdoren fishekzjarrë dhe molotovë.
Por edhe kjo nuk do zgjasë shumë, derisa policia të fillojë t’i kapë nëpër shtëpi zjarrvënësit dhe adoleshentët ta kuptojnë se jeta e tyre do të marrë një kthesë të pakthyeshme kur të përballen me ligjin.
Tani betejën protesta nuk e ka me Ramën. Është e vërtetë që fondet që marrin nga ambasadat dhe fondacionet disa nga organizatorët janë që të tronditin Ramën, por ata tashmë po i përdorin për luftë të brendshme që të marrin supremacinë dhe justifikojnë faturat kurse Rama është sebepi.
Tashmë lufta në protestë është për jetë a vdekje mes PD dhe të tjerëve. PD e ka të qartë që nëse nuk merr totalisht komandën e saj, në kutitë e votimit do pësojë një katastrofë. Që tani sondazhet e nxjerrin në pikiatë.
Kthimi i Berishës në 2024-en në krye të PD ngjalli një shpresë të vakët se do të mund të rindizte entuziazmin. Mirëpo asgjë nuk ndodhi. Berisha humbi në zgjedhje, nisi avazin e vjedhjeve dhe kaq. Ramës në një vit protesta të PD, përveç neomalësores, nuk i iku asnjë cifël. E ca më keq, protestat e Berishës ishin një kopje e zbehtë e atyre të Bashës.
Me protestat e flamingos Berisha pati sikletin se ndodhej mes murit dhe hurit. Në një krah rënia e popullaritetit dhe në tjetrin hija e hiç më pak se ajo e presidentit të SHBA, Berisha nuk mund t’ia lejonte vetes luksin të dilte kundër Trump. Për fat beteja u zhvendos në Tiranë, flamingot u harruan, u sajua kauza e studentëve, por doli që kryesimi i protestës nuk ishte aq i kollajtë. Jo për faktin e protagonistëve por të pjesëmarrësve të cilët nuk e pranonin. Dhe këtu filloi për Berishën një betejë e paprovuar që nga viti ‘91: Të merrte kryesimin e revoltës. Por kjo po rezulton pothuajse e pamundur për shumë faktorë. Së pari, nisur nga diferenca 60 vjeçare që Berisha ka me protestuesit, që i bie një largësi prej tre brezash.
Pengesë tjetër është psikologjia dhe gjuha e tij që është e njohur për gjyshërit e protestuesve por jo për të rinjtë. Kauza që citon për rrëzimin e komunizmit, për protestuesit është e njëjtë me përrallat e Harry Poter, të treguara nga gjyshi i lezetshëm.
Të shpresosh të udhëheqësh një brez i cili nuk ka dalë ende në punë, ndërkohë që ti ke 20 vjet që ke mbushur moshën e pensionit, është një humbje e kontaktit me dimensionin e kohës.
Edhe ata që rrethojnë Berishën lënë për të dëshiruar. Të rinj që ngjanë me të vjetër, gërmadha të ‘91-shit, mbeturina të LSI, ku të gjithë duken si hijena që po presin që Berisha të japë shpirt dhe ta shqyejnë, nuk janë një tablo entuziaste.
E gjitha kjo e bën të vështirë që Berisha të marrë udhëheqjen e protestës. Mirëpo kjo është një luftë për jetë a vdekje e tij. Askush nuk i ha përrallat që tregon Noka e Bardhi pasi i përzënë, me dashnorë të protestës, por që protestuesit herë i hedhin në Lanë e herë i lagin me ujë.
Nëse nuk ia del të marrë timonin real të protestës, kutitë e votimit do jenë një katastrofë për PD, anëtarët e së cilës edhe mund ta falin që ta mundi Edi Rama, por nuk ia falin që ta mundë Gon Shehaj dhe Arlind Qori. Në këto kushte nuk do ia vlejë as të dalin nga shtëpia. E pastaj të nisësh liturgjinë se votat t’i vodhi Shehaj dhe Qori, është një skenar që do thyente çdo rekord estrade./dritare.net