
Nga Dritan Hila
Disa ditë më parë një student në intervistë shprehej se mbanin lidhje me studentët e Beogradit, dhe kjo u shfrytëzua si një fakt për ndikimin në protestë të Serbisë.
Edhe nëse është e vërtetë, më shumë sesa një lidhje materiale, protestat shqiptare ngjajnë me një lidhje shpirtërore.
Kjo ka filluar që me krijimin e shablloneve propagandistikë ku “Rama, vëllai i Vuçiç”, notonte krahas atyre të “narkoregjimit”, “policia e krimit”, “hajdutë”, apo “korrupsion”. Është një teknologji që gjendet në manualin e Gebels, kjo e pak frazave të thjeshta dhe shabllon të përsëritura shpesh, që të nguliten në trurin e turmave.
Dhe ja ku kemi një opozitë, ku nuk nënkuptohet vetëm PD, pasi të tilla parulla tashmë janë edhe në përdorim nga Qori, Shehaj dhe Lapaj, e cila bie viktimë e narrativës së vet, e cila beson se vërtet Rama është i lidhur me kordon ombelikal me Vuçiç e meqë ra ky, do bjerë edhe Rama.
Në fakt, të dy, ku bënte pjesë edhe ish kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, janë pjesë e të njëjtit projekt, përfshi edhe Albin Kurtin.
Të ardhur në pushtet pak a shumë në të njëjtën kohë, ku Kurti erdhi pak më vonë sesa dy të parët, pasi Gjykata e Hagës i spastroi rrugën, mendohej që këta do të ishin fytyra e një Ballkani të ri që do tejkalonte armiqësitë e së shkuarës.
Duhet thënë sa nga kjo katërshe, Rama dhe Zaev bënë përpjekjet maksimale të kalonin ndasitë dhe demonët e së shkuarës. Rama ndërmori vizitën në Beograd dhe më vonë u bë pjesë e Open Ballkan për të nxitur afrimin mes katër vendeve, një sipërmarrje që e kishte marrë përsipër Procesi i Berlinit por që kishte ndenjur në vend. Kjo ishte një sipërmarrje që e bëri target të turbonacionalistëve shqiptarë, sidomos në Kosovë duke i dhënë shkas edhe narrativës komplotiste për një marrëveshje të fshehtë mes Ramës dhe Vuçiç.
Në ndryshim nga homologu i tyre shqiptar, Vuçiç bashkë me Kurtin vazhdoi lojën e nacionalizmit, kurse Zaev ishte viktima e parë e kësaj hapjeje, duke sjellë në fuqi nacionalistët maqedonas.
Është herët për të bërë një bilanc të një iniciative që u mundua të ndryshonte psikologjinë e armiqve të vjetër, por tani mbetet të shikohet sesi do reagojë Shqipëria.
Ajo që bie në sy pas rënies së Vuçiç është fetishi i kundërshtarëve të Ramës ndaj Listës Studentore dhe përpjekja që ta lidhin fatin e Ramës me atë të ish homologut serb.
Në fakt kjo është të biesh viktimë e realitetit virtual që ke krijuar me narrativën tënde.
Rama ndryshon në gjithçka nga Vuçiç duke filluar nga fakti se nuk është produkt i nacionalizmit serb, sikurse ishte Vuçiç. Përkundrazi!
Në qasjen e tij ndërkombëtare, Rama ka qenë një përkrahës i politikave perëndimore ndaj Rusisë dhe qëndrimet ndaj Ukrainës.
Ndryshe nga pala serbe që fut hundët tek serbët e Kosovës duke i përdorur si levë destabilizimi, Rama ka ndjekur një politikë të matur ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të MV, mbase më shumë sesa duhej.
E ndërkohë kundërshtarët e Ramës që përpiqen të identifikohen me Listën Studentore serbe, nuk kanë fare qasje me të.
Nëse Lista ka korpus kryesor studentët, ajo shqiptare ka korpus kryesor PD, madje studentë kanë mbetur vetëm ata të Qorit, të cilët vështirë t’i quash të tillë.
Nëse Lista serbe ka drejtues profesorë të çertifikuar si të tillë ndërkombëtarisht, ajo shqiptare ka disa figura të PD që kanë gjetur strehë në godinat universitare. E tregon edhe produkti skarco që nxjerrin.
Nëse mbështetësit e Listës serbe janë parti të strukturuara prej dekadash, në Shqipëri e tillë është vetëm PD, kurse të tjerët janë individë që duan të identifikohen.
Lista serbe ka disa piketa programi, ku çështja e Kosovës ka një zhvillim të rrezikshëm pasi ata do tentojnë të çmontojnë pikërisht marrëveshjen e Kumanovës, ku zë fill edhe pavarësia e Kosovës.
Dhe më e rëndësishmja, Lista serbe e kërkoi fitoren brenda sistemit, pa kërkuar as dorëheqjen e Vuçiçit e as ndërrim sistemi zgjedhor, por u bazua tek numrat e saj, të cilën forcë, mesa duket opozita shqiptare e di që nuk e ka dhe kërkon ta marrë fitoren në tavolinë duke kërkuar një rregullore që e shpall atë fituese pa filluar loja.
Ajo që i duhet politikës shqiptare sot, është origjinaliteti, dhe të paktën mos të shikojë nga Beogradi pas 114 vite pavarësie./dritare.net