Na ndiqni edhe në

Editorial

Çfarë i mësuan Erion Veliajt zgjedhjet në SHBA?

Çfarë i mësuan Erion Veliajt zgjedhjet në SHBA?

Nga Dritan Hila

Gati 18 vite më parë Erion Veliaj në krye të Mjaft provoi të dilte në zgjedhje, por rezultati që mori ishte zhgënjyes. Arsyet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga papërgatitja e elektoratit për një alternativë të tretë, mos organizimi në terren, vjedhja e votave, e shumë e shumë të tjera.

Pas kësaj e kuptoi që duhej t’i atashohej një force politike në mënyrë që të kishte zë në kapitull. Mentori i tij ishte Edi Rama, i cili pasi mori frenat e PS e promovoi jo vetëm atë por shumë nga të Mjaft si Spiropali, Mazniku, Ikonomi, etj.

Pas fitores së PS, shumë prej tyre morën poste të rëndësishme dhe rrugët e tyre u ndanë nga ajo e Erionit.

Por kjo është histori.

Me rifitimin e bashkisë së Tiranës nga PS, me siguri Rama e ka menduar Erionin defakto një nënkryetar bashkie. Kurse Veliaj me siguri nuk ka pasur të njëjtin mendim. Ai e dinte shumë mirë se Tirana është një trampolinë për kryeministër, sikurse Rama e dinte që kërcënimi më i madh i vinte nga karrigia që dikur e kishte ai. Ndaj i hoqi shumë kompetenca dhe shpesh e fyente në sy të publikut duke e krahasuar me bojaxhinj.

Por Veliaj i duroi të gjitha duke menduar që një ditë biologjia do të bënte punën e vet. Kjo llogari edhe mund t’i dilte, por ndërhyrja brusko e SPAK e ndërpreu ecurinë normale. Ndërkohë mesa duket në periudhën e kryesimit të Tiranës, ia doli të formonte një klientelë të tij. Le të themi ndjekës.

Pothuajse dy vjet në qelitë e paraburgimit, e pakta që kuptoi ishte se fati i tij nuk i interesonte Ramës dhe ishte i vetëm përballë fatit të tij. Dhe erdhi momenti që i hodhi dorashkën e duelit Ramës.

Mbase Rama nuk e ka pritur këtë rebelim. Përballë alternativave që të pranojë duelin apo të zgjedhë pajtimin, Rama me siguri do zgjedhë të parën. Nuk e lë krenaria dhe ngopja me pushtetin që të bëjë paqe.

Ajo që mbetet enigmë është rezultati. Kjo nuk do të thotë që humbja e Veliajt është e garantuar. Një fitore për të mund të jetë edhe humbja e Ramës përballë frontit opozitar.

A do ia dalë Veliaj që t’i heqë Ramës copa nga votuesit e PS apo të nxjerrë në votime një fashë mosvotuesish tradicionalë? Ajo që duhet thënë është se tashmë nuk jemi në vitin 2009. Një pjesë e madhe e elektoratit është emancipuar dhe pranon alternativat e reja. Një pjesë tjetër e votuesve te partive të mëdha janë lodhur nga liderët e tyre. Sikurse të tjerë kërkojnë ndryshimin me çdo kosto. Dhe zgjedhjet e fundit në SHBA treguan se kur lodhesh nga një udhëheqës, zgjedh edhe një përfaqësues të LGBT, një guvernatore nga pakicat apo një nga nativët amerikanë.

Zgjedhësi dhe momenti i votës është një nga dukuritë e irracionalitetit njerëzor. Ndaj nuk ka asnjë çudi që nesër në kutitë e votimit , Veliajt t’i harrohen gabimet që ka bërë në ushtrimin e pushtetit apo në marrëdhëniet me publikun, por t’i kujtohet që ka qenë një administrator i zoti i Tiranës, për aq sa i kishte lënë kompetenca Rama. Madje në krahasim me frontin opozitar, ai ka përparësinë që di të flasë me terma konkretë dhe nuk vjen nga rruga e direkt në thela. Nga gjithë kundërshtarët e Ramës, ai ka prioritetin që ka eksperiencë administrative dhe politike. Tani mbetet vetëm të krijojë staturën e udhëheqësit të fortë që nuk trembet as nga burgu e as nga kërcënimet por është në gjendje të udhëheqë popullin. Pasi siç ka thënë edhe një admiral i famshëm britanik i luftërave napoleonike, lord Thomas Cochrane: “Nuk ka rëndësi nëse një kapiten merr vendim të drejtë apo të gabuar, por ekuipazhi duhet të jetë i bindur se po i çon drejt fitores”./dritare.net