Na ndiqni edhe në

Editorial

Aritmetika e protestës, dirigjenti i saj dhe e panjohura e Ramës

Aritmetika e protestës, dirigjenti i saj dhe e panjohura e Ramës

Nga Dritan Hila

Pas përpjekjeve të vazhdueshme nën rrogoz, pardje Berisha bëri një sulm frontal kundër tre partiçkave pjesëmarrëse në protestë, me shpresë se kështu do t’i trembte dhe merrte komandën e protestës.

Dita e sotme tregoi se nuk ia kanë ato fajin që nuk po realizon dot synimin. Ashtu si ai, edhe tre të tjerët po përpiqen të duken si udhëheqës të protestës por në fakt nuk janë. Dhe kështu të katërt bashkë po përpiqen të sfidojnë liderin okult të asaj që quhet protestë studentësh, por nuk po ia dalin.

Berisha ka përdorur karotën dhe kërbaçin për të arritur synimin, ka qenë i pranishëm me militantët dhe deputetët e tij aty, ka ndihmuar me avokatë për të ndaluarit, ka hedhur grupe zjarri në ballë të saj dhe së fundmi edhe përpjekjet për t’i intimiduar direkt tre udhëheqësit e partickave, por nuk ia ka dalë të marrë komandën. Dhe mesa duket për faktin e thjeshtë se as Qori, Shehaj, Lapaj apo Progni, nuk kanë realisht komandën e saj.

Në gati pesë muaj protestë, militantët e Berishës kanë pranuar edhe të poshtërohen, përzihen, shahen madje edhe të hidhen në Lanë; janë lutur që të ishin pjesë e saj edhe duke hequr simbolet apo bërë si gore në dyer e komisariateve për ndere që nuk ua kërkon askush, por nuk janë pranuar.

Mesa duket ata që komandojnë realisht, nuk duan Berishën në komandë. Kurse sa u takon të tjerëve, asnjëri prej tyre nuk po ia del të shfaqet si lider i gjithë pranuar. Janë pak për të qenë vetëm dhe shumë të ndryshëm për të qenë bashkë.

Ndërkohë provimin për të qenë lideri i ri nuk e ka kaluar askush. Disa për shkak të moshës e të tjerët për shkak të truve.

Dhe e gjitha kjo i bën protestat edhe më enigmatike dhe zgjedhjet e majit po ashtu. Duket se në zgjedhjet lokale Edi Rama do ta ketë sfidën me partinë e mosvotuesve dhe kush do të jetë në gjendje t’i nxjerrë në kutitë e votimit. Edhe ai është në dilemën nëse i ka numrat e dikurshëm. Ky fragmentarizim i opozitës natyrisht që ia lehtëson punën dhe fraksioni tashmë i dukshëm i Veliajt nuk e tremb. Por një kandidat që nxjerr në votime edhe një pjesë të atyre që ishin ditët e para në protestë, ia prish ekuacionin.

Deri në Maj, ka edhe gjashtë muaj kohë ta deshifrojë të panjohurën e ekuacionit. Maji do të jetë një nga ato beteja që Rama i ka qejf pasi do jetë i vetëm kundër të gjithëve. Vetëm se këtë radhë ka dyshimin e partisë së mos votuesve, se kush do jetë ai që do t’i nxjerrë tek kutitë dhe t’i mbushi mendjen të votojë kundër Ramës./dritare.net