
Nga Dritan Hila
Në Serbi ka ndodhur diçka shumë e rëndësishme: "Lista e Studentëve" ka fituar kundër Vuçiçit.
Por çfarë është e rëndësishme për botën, nuk është për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ata thonë se nuk janë as të djathtë, as të majtë, por qytetarë që nisen nga baza, nga poshtë-lart, për të mirën e përgjithshme.
Profesori Jovo Bakiç, një nga figurat kryesore të Listës Studentore fituese, sapo ka deklaruar se qeveria e re serbe nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe se, në politikën e jashtme, do të ndjekë një qasje shumë pragmatike. "Ne e respektojmë Rusinë si një fuqi të madhe, por edhe si një partner historikisht të rëndësishëm për ne dhe, në shumë raste, madje edhe si mbrojtësen tonë. Nuk do të vendosim sanksione kundër Rusisë, edhe sepse ato do të na dëmtonin ne vetë.", thotë Bakiç.
Ata nuk kanë aspak ndërmend të anëtarësohen në BE. Madje, këtë synim nuk e kanë përfshirë as në programin e tyre elektoral. Ata frymëzohen nga një politikë ndërkombëtare shumëpolare.
Ky mbase është një lajm i mirë për Shqipërinë, pasi do të ketë një garues më pak. Por mund të jetë edhe një lajm i keq, pasi në sponsorizimin e hyrjes sonë në BE, disa anëtarë të saj niseshin nga dëshira që të anëtarësohej Serbia dhe ne të ishim subjekt kolateral. Gjithsesi, ky është fillimi dhe objektivat lëvizin me kalimin e kohës dhe rrethanat.
Lista nuk ka paragjykime apo qëndrime përjashtuese ndaj askujt tjetër. Bakiç: Kina përshkruhet si partneri tregtar më i rëndësishëm i Serbisë në Azi; nuk ka armiqësi me Rusinë dhe synohen marrëdhënie paqësore me Amerikën Latine, Indinë dhe Afrikën, duke u mbështetur në lidhjet e krijuara në epokën e Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara, një politikë e hershme e Jugosllavisë së Titos, pozicion të cilin Serbia pretendon që e trashëgon.
E gjithë kjo bëhet me qëllimin që Serbia të mbajë gjithmonë të palëkundur kursin e saj, duke vënë në plan të parë interesat e veta kombëtare.
Serbia gjithmonë ka pretenduar një pozicion të veçantë në Ballkan dhe kjo nisur edhe nga preferenca që ka në shumë vende evropiane. Ende tek ato gjallojnë historia e Serbisë në luftërat botërore apo në periudhën e Luftës së Ftohtë. Kjo natyrisht që nuk e ndihmon Shqipërinë apo Kosovën. Fakti që politikat e jashtme dhe objektivat e Listës së Studentëve nuk ndryshojnë nga ato të Millosheviçit apo Vuçiçit, me Listën Serbe që pritet me krahë hapur nga Perëndimi si forcë demokratike, ia bëjnë edhe më të vështirë maloren Kosovës në një tryezë bisedimesh me palën serbe në prani të BE-së.
Qasja e Listës në pozicione të pandryshuara të politikës së jashtme me ato të paraardhësve tregon se në Serbi mund të ndryshojnë qeveritë, por jo politikat dhe objektivat strategjike; se Deep State, shërbimet inteligjente, ushtria dhe Akademia e Shkencave nuk ndryshojnë dhe janë ato që vendosin shinat se ku do të ecë çdo qeveri.
Ndaj, një qeveri e re në Serbi, për shqiptarët nuk është asgjë më pak se një kuriozitet, por edhe një bela më shumë./dritare.net