Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

A do të ketë arrestime të tjera? Çfarë thotë avokat Ngjela!


Avokati Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit rreth drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO, me kërkesë të SPAK, ka caktuar masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra. Hyseni dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”, në një hetim që lidhet me dosjen e AKSHI-t.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë për DritareTV, Ngjela e cilësoi zhvillimin si tregues të shtrirjes së hetimeve të SPAK në nivele të larta të shtetit. Sipas tij, fakti që nën masë sigurie është vendosur drejtuesja e institucionit kryesor të inteligjencës e bën çështjen veçanërisht të rëndësishme.

“Përderisa është përgjegjësja e madhe e shërbimit sekret në Shqipëri, kuptohet që çështja ka shkuar shumë thellë. Personi i cili duhet të ndjekë korrupsionin në Shqipëri dhe krimin e organizuar akuzohet për korrupsion nga SPAK”, u shpreh Ngjela gjatë intervistës.

I pyetur nëse çështja mund të prekë edhe persona të tjerë brenda shërbimit, Ngjela u tregua i kujdesshëm dhe tha se zhvillimet duhet të ndiqen “hap pas hapi”.

“Ky është akti i parë kundër shërbimit sekret në Shqipëri. Po shikojmë si do të vijojnë. Pyetja është: A do të ketë arrestime të tjera nga kjo drejtori, nga ky shërbim? A ka edhe persona që mund të shkojnë më lart?”, u shpreh ai./K.C/dritare.net