Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vlora Hyseni në arrest shtëpie, Ilir Proda në SPAK! Gazetarët zbardhin detajet

WhatsApp Image 2026-09-22 at 2.21.10 PM.jpeg

Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, është vendosur sot në “arrest shtëpie” dhe është pezulluar nga detyra. Gazetari Igli Çelmeta dhe Xhevdet Zekaj, të ftuar në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun, komentuan zhvillimet e fundit të hetimit të SPAK dhe lidhjen e dyshuar të Hysenit me çështjen e Ergys Agasit.

Çelmeta tha se Hyseni dyshohet se e ka ndihmuar Agasin t’u shmangej operacioneve të policisë gjatë kohës që ishte në kërkim. Sipas gazetarit, ajo ndodhej në Baku të Azerbajxhanit në momentin kur u caktua masa e sigurisë. Ai tha se mbetet për t’u parë nëse do të kthehet në Shqipëri, ndërsa mundësinë që të mos kthehet e përmendi vetëm si hipotezë.

Gazetari foli edhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, i cili u mor në pyetje nga SPAK. Çelmeta tha se gjatë kontrollit në banesën e Prodës janë sekuestruar pajisje dhe materiale elektronike që mund t’i shërbejnë hetimit. Ai kërkoi që SPAK të sqarojë çfarë veprimesh konkrete dyshohet se kanë kryer Hyseni dhe Proda në lidhje me Agasin.

Xhevdet Zekaj e cilësoi masën ndaj drejtueses së SHISH një ngjarje tronditëse për sigurinë kombëtare dhe kërkoi sqarim të plotë të çështjes. Ai theksoi gjithashtu se në këtë fazë bëhet fjalë për akuza dhe se fajësia nuk mund të merret e mirëqenë.

Në emision u lexua njoftimi i SPAK, sipas të cilit Hyseni është person nën hetim për përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete. Në lidhje të drejtpërdrejtë, avokati Ylli Kameri tha se, nëse akuzat provohen, ajo mund të rrezikojë nga shtatë deri në dhjetë vite burgim./E.P-dritare.net