Nga plagosja e dyfishtë te tritoli dhe ekzekutimi i “Tani Ruzhdiut" / Saga e ngjarjeve që tronditën Sarandën
Dritare.net

Vrasja e 44-vjeçarit Artan Myrtaj paraditen e kësaj të diele në qendër të Sarandës rikthen në vëmendje një seri ngjarjesh të rënda kriminale që nisën më shumë se një vit më parë në qytetin bregdetar.
Myrtaj, i njohur edhe me emrin “Tani Ruzhdiut”, u qëllua për vdekje nga dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, i identifikuar si Xhevdet Skëndaj.
Emri i Artan Myrtajt ishte shfaqur më parë në dosjen e një plagosjeje të ndodhur më 17 korrik 2025, në lagjen nr. 4 të Sarandës. Në atë ngjarje u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza.
Për autorësinë e plagosjes u akuzua Ramadan Zoto, 44 vjeç, ndërsa sipas hetimeve të asaj kohe, Artan Murtaj, Klaus Jaçaj dhe Erjon Canaj dyshohej se e kishin ndihmuar atë gjatë ngjarjes dhe në arratisje.
Pas plagosjes së Lamës dhe Hajdarajt, në Sarandë u regjistruan të tjera ngjarje të rënda të raportuara si pjesë e një sage hakmarrjeje.
Një prej tyre ishte vrasja me eksploziv e Isuf Jaçajt, babait të Klaus Jaçajt. Në një tjetër episod u raportua shkatërrimi i pronës së Ramadan Zotos.
Për plagosjen e Ernest Lamës dhe Gëzim Hajdarajt, Ramadan Zoto ndodhet aktualisht në burg. Artan Murtaj dhe Klaus Jaçaj, të cilët u akuzuan për “përkrahje të autorit të krimit”, ishin liruar nga burgu pak kohë më parë, ndërsa Erjon Canaj vijon të jetë në kërkim./dritare.net
Murtaj rezultonte gjithashtu person me precedentë penalë dhe ishte dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.
Tashmë, më shumë se një vit pas plagosjes së dyfishtë të korrikut 2025, edhe Artan Murtaj është vrarë. Në këtë fazë të hetimeve nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse atentati i sotëm lidhet me ngjarjet e mëparshme apo nëse bëhet fjalë për një tjetër motiv. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e dy autorëve të dyshuar./dritare.net
