Çmimet e ushqimeve, Rama-supermarketeve: Nuk ju kërkojmë bamirësi, por lërini njerëzit të marrin frymë
Dritare.net

Çmimet e larta të produkteve të shportës dhe marzhet e fitimit të supermarketeve kanë qenë në qendër të një takimi të kryeministrit Edi Rama me përfaqësues të rrjeteve të shitjes dhe furnitorët. Qeveria po përgatit platformën “Price Watch Albania”, që synohet të jetë gati brenda 30 shtatorit dhe do t'u japë qytetarëve mundësinë të krahasojnë online çmimet e produkteve në supermarkete të ndryshme.
Rama kritikoi bizneset për mungesën e bashkëpunimit, pasi sipas tij vetëm një operator i është përgjigjur deri tani kërkesës për të dorëzuar të dhënat e nevojshme për platformën. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për nivelin e fitimeve dhe çmimet e produkteve bazë.
“Vetëm 1 aktor u përgjigj, të tjerët u zhdukën. Unë besoj se ju jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë se çfarë mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina dhe as Amerika, dhe kapitalizmi agresiv ka filluar të bëhet shqetësues për të gjithë. Qëllimi është që t'i lehtësojmë njerëzit nga kjo mbingarkesë me marzhe të papranueshme fitimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria nuk kërkon t'u caktojë çmimet bizneseve apo t'u mohojë fitimin, por kërkon që tregu të funksionojë me më shumë konkurrencë dhe konsumatorët të mos rëndohen nga çmime që, sipas tij, janë më të larta se duhet.
“Do thoni ç'i hapëm vetes, në djall ato që po i fitojmë në mënyrë të padrejtë. Nuk mendoj se po kërkojmë ndonjë gjë të padrejtë, as ndonjë sakrificë, as të ktheheni në organizata bamirësie, po ju themi: fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë. Çmimet këtu janë mbi të tërë të tjerët”, tha ai.
Rama iu referua edhe të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke argumentuar se zhvlerësimi i euros dhe rënia e inflacionit të importuar duhet të ishin reflektuar në çmimet që paguajnë konsumatorët.
“Ajo që është edhe më e tmerrshme është që shifrat e BSH thonë e para që zhvlerësimi i euros duhet të sillte ulje çmimesh në produkte që lidhen me euron, inflacioni i importuar ka rënë dhe me produkte të brendshme këtu bëhet nami me çmim. Çdo gjë e ka një kufi, po flasim për produkte jetike, të shportës. Për njerëzit që maten shumë mirë për të blerë një kokërr vezë më shumë”, u shpreh kryeministri.
Përmes “Price Watch Albania”, qytetarët do të mund të shohin dhe krahasojnë çmimet për të njëjtat produkte në rrjete të ndryshme. Supermarketeve u kërkohet të dorëzojnë të dhënat për produktet, përfshirë barkodin, markën, gramaturën dhe përshkrimin, si dhe listën e pikave të shitjes dhe adresat e tyre.
“Për qytetarin ka ardhur koha të jetë e thjeshtë, të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë. Jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga dhe të mos ketë edhe një pasqyrë konkurrence ku ai që është më i shkathëti dhe ai që është më i shpejti në adaptimin e çmimeve më konkurruese të fitojë më shumë. Do ishte marrëzi që ne të përcaktonim çmimet, askush nuk ju thotë që ju nuk duhet të nxirrni fitim, por ka ardhur një moment që duhet ta shohim njëri-tjetrin në sy”, tha Rama./dritare.net