Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zhdoganimi i makinave, hyjnë në fuqi rregullat e reja

Kilometrat e përshkuara do të jenë një nga elementet që mund të ndikojnë në vlerën e një makine të përdorur në momentin e zhdoganimit. Administrata Doganore Shqiptare ka ndryshuar procedurën e vlerësimit për automjetet e prodhuara gjatë 10 viteve të fundit, duke shtuar kritere të reja për rastet kur vlera nuk mund të përcaktohet me metodat e zakonshme.

Manuali i ri, i publikuar më 18 shtator 2026, parashikon që Dogana të marrë parasysh edhe kilometrazhin e automjetit. Deri më tani vlerësimi mbështetej te karakteristika si marka, viti i prodhimit, cilindrata apo lloji i karburantit.

Me rregullat e reja, dy makina me karakteristika të njëjta nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të kenë edhe të njëjtën vlerë doganore. Një automjet që ka përshkuar më shumë kilometra mund të ketë një vlerë të ndryshme nga një tjetër i së njëjtës markë, vit prodhimi dhe kategori, por që është përdorur më pak.

Një tjetër ndryshim lidhet me burimet që mund të përdoren për të përcaktuar vlerën e automjetit. Në raste të caktuara, Dogana do të mund të konsultojë çmimet reale të makinave të publikuara në internet dhe në buletine të specializuara.

Kjo mënyrë vlerësimi nuk do të përdoret automatikisht për çdo automjet që hyn në Shqipëri. Ajo do të aktivizohet vetëm kur nuk është e mundur të përcaktohet vlera përmes çmimit të transaksionit dhe metodave të tjera që parashikon Kodi Doganor.

Pra, çmimet e gjetura në burimet online do të shërbejnë si një alternativë në fazat e mëvonshme të vlerësimit dhe jo si pika e parë e referimit për Doganën.

Ndryshimet prekin vetëm automjetet që janë prodhuar brenda 10 viteve të fundit. Për makinat që e kalojnë këtë vjetërsi, procedura e vlerësimit mbetet e pandryshuar.

Me sistemin e ri synohet që vlera mbi të cilën llogariten detyrimet gjatë zhdoganimit të jetë më pranë vlerës reale të automjetit. Në këtë mënyrë, përveç të dhënave teknike, do të merret parasysh edhe gjendja që lidhet me përdorimin e makinës deri në momentin e importit./dritare.net