Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Pronari i Monacafe i arrestuar për tokat në Seman, shkak i sherrit për Palasën

Pronar i "Moncafe", Kastriot Hasko është një prej katër personave të arrestuar në kuadër të hetimit të Prokurorisë së Fierit për një skemë të dyshuar tjetërsimi pronash. Bashkë me të janë arrestuar dy ish-drejtuesit e Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, si dhe juristi Piro Çela.

Sipas Prokurorisë, Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të regjistruar në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë rreth 1,143 hektarë tokë në Seman të Ri dhe Sheq Marinas. Hetuesit pretendojnë se më pas, përmes një prokure të posaçme të falsifikuar, toka u është shitur dy shoqërive. Në kuadër të hetimit janë sekuestruar mbi 76 pasuri dhe 150 mijë euro.

Emri i Kastriot Haskos u bë publik vetëm pak ditë më parë për një tjetër konflikt pronësie, këtë herë në Palasë. Ai është personi që pretendonte pronësinë mbi 37 hektarët që u bënë shkak i konfliktit mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça pranë hotelit Regina Palm. Hasko kishte deklaruar se ishte trashëgimtar i pronës dhe se kishte lidhur kontratë me Regina Group për zhvillimin e saj. Ja çfarë tha Kastriot Hasko ditën e sherrit në Palasë, në studion e Grida Dumës në Top Channel:

“Jam Kastriot Hasko, historinë e kësaj prone e ka bërë e ndjera mamaja ime, nga Vunoi. Prona është trashëgimi dhe dokumentet mami im i ka bërë që në ’95 dhe në ’96 është regjistruar në hipotekë, po kemi vërtetim pronësie. Mund t’ua paraqes edhe dokumentet me avokaten. Unë jam trashëgimtar.

Bëhet fjalë për 37 hektarë, jam përfaqësues i të gjithë trashëgimtarëve, kam kontratë me Reginën, atë e gjeta biznesmen, kam bërë edhe kallëzime. Prona do vejë te i zoti. Le të shkojë jo në SPAK, po ku të dojë, dokumentacionet unë i kam të rregullta. Unë di të them që mua deri tani nuk më ka kërcënuar njeri. Unë nuk jam thirrur në SPAK dhe po të thirrem, do marr dokumentacionin. Atë pronën nuk e gëzon njeri, e kam regjistruar në hipotekë.

E kam regjistruar në ’96, mamaja ime. Është amaneti i nënës time, do ta çoj deri në fund. Për çfarë do ta shpronësojë? Le ta shpronësojë dhe të bëjë detyrën e vet dhe secili të marrë lekët e veta. Le ta shpronësojë, nuk kam kundërshtim. Unë jam trashëgimtar dhe do ta gëzoj atë që kam. Jam i kënaqur, pesë lekë, pesë lekë…”, u shpreh Hasko./K/C/dritare.net