Grenell përplaset me Marta Kos për Hagën: E turpshme! Këto gjykata radikale duhet të mbyllen
Dritare.net

Vendimi i Hagës për katër ish-drejtuesit e UÇK-së ka sjellë një përplasje mes komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, dhe Richard Grenell, ish-emisarit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Pasi Kos kërkoi respektimin e vendimit të Dhomave të Specializuara, Grenell reagoi ashpër duke deklaruar se ajo që ka ndodhur në Hagë “nuk është drejtësi” dhe duke kërkuar ndërprerjen e financimit për gjykatat që ai i cilësoi “radikale”.
Marta Kos reagoi pas vendimit që dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burg, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet. Ajo deklaroi se Dhomat e Specializuara janë një organ gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm dhe se vendimet e tyre duhet të respektohen.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, shkroi Kos.
Komisionerja e BE-së u bëri gjithashtu thirrje aktorëve në rajon të kontribuojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës, duke theksuar se pajtimi është rruga për kapërcimin e ndarjeve dhe afrimin drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian.
Por Richard Grenell doli kundër këtij qëndrimi. Duke iu përgjigjur deklaratës së Marta Kos, ai kritikoi veçanërisht kohën e gjatë që të akuzuarit kanë kaluar në paraburgim.
“Jo. Të mbash dikë në burg për gjashtë vjet për diçka që pretendohet se ka ndodhur 25 vjet më parë është e turpshme. Evropa duhet të reformojë institucionet dhe politikat e saj. Kjo nuk është drejtësi; është aktivizëm i elitave. Është një tjetër njollë për Evropën. Financimi për këto gjykata radikale duhet të ndërpritet menjëherë”, shkroi Grenell.
Vendimi i shpallur më 16 shtator është i shkallës së parë dhe mund të apelohet./K.C/dritare.net