Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dorian Koçi: Ismail Qemali ishte më i iluminuari, krijuan një shtet pothuajse të pamundur

Dorian Koçi: Ismail Qemali ishte më i iluminuari, krijuan një

Historiani Dorian Koçi ka folur për pavarësinë e Shqipërisë dhe rolin e Ismail Qemalit në emisionin "Shqip" nga Dritan Hila në Dritare TV.

Sipas tij, shqiptarët u gjendën të papërgatitur në vitin 1912, sepse koha nga 1908 deri te luftërat ballkanike ishte shumë e shkurtër. Ndërsa shtetet e tjera ballkanike kishin kaluar 30 deri në 40 vjet reforma në arsim dhe administratë, Shqipërisë nuk iu dha kjo mundësi.

"Shqiptarët humbën bastin me kohën historike. Koha historike është shumë e rëndësishme", tha Koçi.

Historiani e cilësoi krijimin e shtetit shqiptar si një nga rebuset më të mëdha diplomatike të kohës. Sipas tij, në vend kishte tre identitete fetare, nuk kishte ende një gjuhë të njësuar dhe mungonte një element përbashkues. Megjithatë, firmëtarët e pavarësisë ia dolën ta bënin realitet.

"Arritën të krijonin një shtet të pamundur. Pothuajse të pamundur. Dhe këtu janë meritat e tyre kryesore, sepse arritën të bënin për vete interesin e madh gjeostrategjik të Austro-Hungarisë dhe të Italisë", u shpreh ai.

Koçi tregoi se në dokumente del një propozim i Ismail Qemalit për reformimin e Perandorisë Osmane. Sipas propozimit, katër vilajetet shqiptare së bashku me vilajetin e Selanikut do të përbënin pjesën evropiane të Perandorisë. Shqiptarët do të kishin aty të njëjtin rol që kishin hungarezët në Perandorinë Austro-Hungareze. Sipas historianit, ky propozim nuk u pranua nga elita osmane.

Ai theksoi se Ismail Qemali nuk kishte ndër mend të mbështetej kryesisht te familjet e mëdha. Qemali mendonte më shumë për shtresën e mesme: mësuesit dhe lëvruesit e gjuhës shqipe. Koçi e përshkroi atë si anglofil të njohur.

"Më i iluminuari sigurisht që ishte Ismail Qemali, i cili njihte parimet e ndërtimit të shtetit", tha Koçi.

Sipas historianit, merita më e madhe e themeluesve të shtetit ishte parimi i laicitetit. Ata nuk vendosën asnjë besim fetar mbi të tjerët. Koçi e quajti këtë formulë një nga themelet kryesore të shtetit modern shqiptar.

Koçi foli edhe për komplotin e Beqir Grebenesë, përmes të cilit, sipas tij, një pjesë e elitës osmane u përpoq të krijonte një aks ushtarak Shqipëri-Bullgari-Perandori Osmane. Ai tha se Grebeneja u arrestua nga holandezët dhe se Ismail Qemali dha dorëheqjen për këtë arsye.

Gjatë bisedës u përmend edhe një anekdotë e njohur, të cilën vetë historiani e cilësoi të padokumentuar. Sipas saj, Prenk Bib Doda i ka thënë Princ Vidit se për të vendosur rregull në Shqipëri duhej të varte tre veta: Ismail Qemalin, Esat Pashë Toptanin dhe vetë atë.

Koçi kujtoi se bota e njeh pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, ditën kur e shpallën vetë shqiptarët. Njohja e plotë zyrtare erdhi në Konferencën e Londrës në korrik të vitit 1913./L.F-dritare.net