Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Oléa ishte vetëm 14 vjeçe! Presidentja e PE-së: Mjaft më me rrjetet sociale për fëmijët

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi në Parlamentin Evropian ligjin KIDS, që synon të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet e rrjeteve sociale. Nisma parashikon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe të llogarive personale për ata nën 15 vjeç, duke u dhënë prindërve më shumë kontroll dhe duke vendosur më shumë përgjegjësi mbi platformat.

Gjatë fjalës së saj, von der Leyen solli historinë tragjike të Oléa-s, 14-vjeçares nga Belgjika që i dha fund jetës pasi ishte viktimë e bullizmit online.

“Oléa, një vajzë 14-vjeçare që jetonte në Belgjikë, i dha fund jetës pikërisht një muaj më parë, viktimë e bullizmit online. Historia e saj është aq tragjike dhe e dhimbshme, sa nuk isha e sigurt nëse duhej ta përfshija sot. Por nëna e Oléa-s ka folur në mënyrë kaq prekëse për vajzën e saj dhe me kaq pasion që kjo të mos u ndodhë të tjerëve.

‘Jam e bindur se, po të mos ishin këto rrjete sociale të kudondodhura, vajza ime do të ishte ende këtu. Mjaft më.’

Ajo ka të drejtë. Mjaft më.

Të rinjtë evropianë kalojnë sot nga 4 deri në 6 orë në ditë para ekraneve. Fëmijët po tërhiqen gjithnjë e më thellë në përmbajtje të krijuara për t’i mbajtur vazhdimisht para ekranit. Prindërit i shohin pasojat: mungesë gjumi, ankth dhe madje vetëlëndim.

Pyetja nuk është nëse fëmijët duhet të kenë akses në rrjetet sociale. Pyetja është nëse platformat e rrjeteve sociale duhet të kenë akses te fëmijët tanë.”