Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kuvendi me deklaratë të përbashkët për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Vendim i padrejtë

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë të përbashkët pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 16 shtator, gjykata i shpalli të katër përgjegjës penalisht për disa krime lufte dhe i dënoi përkatësisht me 25 vite burgim Thaçin, 18 vite Veselin, 13 vite Selimin dhe 25 vite Krasniqin, në total 81 vite burg. Gjykata i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Në deklaratën e Kuvendit, të lexuar nga kryetari Niko Peleshi, vendimi u cilësua si i padrejtë dhe u theksua se lufta e UÇK-së konsiderohet nga Kuvendi si pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë.

Deklarata erdhi pas debateve të forta në Kuvend, ku opozita akuzoi qeverinë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbështetur Kosovën dhe ish-krerët e UÇK-së. Sali Berisha dhe deputeti Erald Kapri kërkuan një qëndrim më të fortë institucional dhe kritikuan mungesën, sipas tyre, të një angazhimi të mjaftueshëm të shtetit shqiptar.

Nga ana tjetër, Peleshi mbrojti qëndrimin e mazhorancës dhe tha se Shqipëria duhet të vazhdojë të mbështesë Kosovën përmes qëndrimeve institucionale.

Opozita kërkoi gjithashtu që Kuvendi të miratojë një rezolutë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe që në të të përfshihet kërkesa ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës.