Na ndiqni edhe në

Opinione

Duhet të kishim dhe ne shqiptarët qelitë tona në Hagë!

images (3).jfif

Nga Skënder Minxhozi

Haga foli dhe foli ashtu siç pritej. Plot 81 vite burgim për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, pas një procesi të gjatë gjashtë vite. Edhe gjykata e Novi Sadit apo e Beogradit nuk do t’i kishte dënuar më rëndë krerët politikë të UÇK dhe të shtetit kosovar.

Një dënim skandaloz që ka brenda vullnetin e shprehur hershëm nga evropianët, që ne shqiptarët t’i bashkoheshim pjesës tjetër të kombësive të ish-Jugosllavisë, jo vetëm si viktima, por edhe si promotorë krimesh lufte. Një gjykim i pisët që ka brenda gjeopolitikën e asaj pjese të Perëndimit që prej dekadash ndjehet i kompleksuar pse ka sulmuar Serbinë. Ato bomba kundër Millosheviçit në vitin e largët 1999 janë në origjinën e një kthese të madhe që politika perëndimore nisi të marrë ndaj Serbisë, e që e shohim edhe sot tek sjellja e buta ndaj Vuçiçit e të tjerëve, përfshirë edhe ndaj nderimeve mortore të një krimineli lufte si Mlladiç në mbarë Serbinë! Perëndimi dënon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin për të bashkuar me dhunë dhe mekanikisht në burgjet e Hagës si mostrën Mlladiç e kriminelë të tjerë lufte, ashtu edhe ata që luftuan kundër krimeve e spastrimit etnik që ai dhe ushtria serbe kryen në hapësirën ish-jugosllave. Zgjidhje më të padrejtë zor se gjen, aq më tepër kur gjithçka thuhet dhe vuloset “në emër të popullit të Kosovës”!


Duhet të kishim dhe ne shqiptarët qelitë tona në Hagë. Përndryshe “pax balcanica” e pas vitit 1999 nuk do të quhej e kryer dhe e plotë sipas vizionit hileqar evropian. Duhet të kishim dhe ne kriminelët tanë në batakun e ish-Jugosllavisë. Duhej një ndjesë finale në distancë ndaj Serbisë, duke e mbushur mozaikun e shperbërjes jugosllave me kombësinë e fundit që nuk ishte dënuar për atë që ndodhi.

Edhe kjo, siç pritej ndodhi. Jemi dhe ne formalisht pjesë e galerisë së turpit të Hagës, me dorën e evropianëve të kompleksuar ndaj Serbisë e Rusisë dhe me gjurmët e gishtave të jo pak shqiptarëve gjakprishur të cilët kujtuan se po fitonin politikisht mbi Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhepin duke ju përgatitur në errësirë dosje akuzash anonime.

Që të dyja këto palë, secila me axhendën e vet, e gjejnë sot veten të përfshirë në vendimin e trupit gjykues kundër liderëve kosovarë. Që të dyja këto palë ja arritën qëllimit të tyre respektiv. Perëndimorët na përfshinë në listën e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, kurse shqiptarët në fjalë arritën t’i heqin qafe liderët e UÇJK me shpresën se kësisoj karrierat e tyre politike do të jenë më të qeta dhe më lehta këtej e tutje.

S’ka miopi më të madhe sesa të mendohet se kjo që ndodhi sot është një dënim individual i katër personave dhe asgjë më tepër. Kosova nuk është më sot ajo që ishte dje. Po paguan haraçin më të rëndë të njollosjes me krime lufte, për pavarësinë që mori 20 vite më parë. Një politikë ekuilibriste kompensimi e padrejtë dhe brutale. Dënimi ndaj katër krerëve të luftës nuk është një dramë personale, por një përbaltje kombëtare. Fitoi linja haluçinante e Dik Martit, fitoi pozicioni antishqiptar i Serbisë dhe Rusisë, fituan skuthët shqiptarë që më shumë se imazhin e prestigjin e vendit të tyre, donin dënimin e kundërshtarit. Vendimi i sotëm është një njollë që nuk fshihet kollaj. Por është një njollë që të gjithë e dinë se shqiptarët nuk e meritojnë. Nuk është i pari rrëzim në historinë tonë plot kthesa dhe fatkeqësi. Nuk do të jetë as i fundit. Ky është fati i kombeve të vegjël.