Na ndiqni edhe në

Shqip

Gjin Lleshi: Droga po vret të rinjtë shqiptarë. Çfarë duhet të bëjë shteti!

Gjendja e të rinjve që kanë rënë në varësinë e drogës në Shqipëri, mungesa e qendrave të rehabilitimit, drama e familjeve, por edhe përgjegjësia e shtetit ishin në qendër të bisedës së Gjin Lleshit në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTV. Lleshi, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen dhe Trajtimin e të Droguarve, i cili ka punuar në urgjencat psikiatrike dhe prej 13 vitesh jeton në SHBA, solli edhe përvojën e tij nga Amerika dhe Greqia.

“Shqipëria për mua është tragjike”, u shpreh Lleshi duke folur për vdekjet nga droga. Sipas tij, shteti ka detyrimin t’u ofrojë të rinjve qendra rehabilitimi dhe të mos i lërë familjet të përballen të vetme me problemin. Ai theksoi se një person i varur nga droga apo alkooli duhet trajtuar si i sëmurë dhe jo thjesht si dikush që mund ta zgjidhë varësinë duke i dhënë fjalën familjes se nuk do të konsumojë më.

Lleshi përshkroi edhe dramën që përjetojnë prindërit. Ai foli për raste kur fëmija i varur nga droga shet gjërat e shtëpisë, krijon borxhe dhe familja detyrohet të gjejë para nga frika se mos i ndodh diçka. Sipas tij, institucionet duhet ta marrin në mbrojtje personin që nuk është më në gjendje të kujdeset për veten.

Një pjesë të rëndësishme të intervistës Lleshi ia kushtoi edhe mënyrës se si prindërit mund të dallojnë shenjat e para të përdorimit të drogës. Ndryshimi i sjelljes, gënjeshtrat, marrja e parave pa leje, rënia në mësime, izolimi dhe fshehja e gjërave janë, sipas tij, sinjale që familja nuk duhet t’i neglizhojë. Në këtë fazë, ai këshillon konsultimin me specialistët e shëndetit mendor.

Në fund, Lleshi u rikthye te shqetësimi kryesor që e solli në emision: njerëzit që kanë mbetur të varur nga droga dhe familjet që nuk dinë më ku të kërkojnë ndihmë. Ai tregoi edhe historinë e një të riu që mbeti i sëmurë kronik dhe që, si pasojë e varësisë, “nuk u martua, nuk bëri fëmijë, nuk u shkollua”. Sipas Lleshit, këta njerëz nuk mund të braktisen në rrugë, por duhet të merren në mbrojtje, të rehabilitohen dhe të rikthehen në shoqëri./dritare.net