Vendimi historik! New York shpall 28 Nëntorin festë zyrtare!
Dritare.net
28 Nëntori do të ketë një vend të veçantë edhe në kalendarin e Nju Jork-ut, qytetit ku jetojnë mbi 100 mijë shqiptarë. Këshilli i Qytetit ka miratuar një rezolutë që njeh zyrtarisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e kthyer atë në një datë që do të përkujtohet çdo vit në metropolin amerikan.
Rezoluta u miratua më 19 nëntor 2026, me propozim të këshilltares Amanda C. Farías, nismës së të cilës iu bashkuan edhe tre këshilltarë të tjerë, Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano. Përmes dokumentit, Këshilli i Qytetit nderon jo vetëm shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por edhe kontributin që komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Nju-Jorkut.
Shqiptarët filluan të vendoseshin në Nju Jork në fillim të viteve 1920. Gjatë dekadave, komuniteti është zgjeruar dhe ka kontribuar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të qytetit.
Sipas vlerësimeve të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, më shumë se 100 mijë persona me prejardhje shqiptare jetojnë sot në pesë distriktet e Nju Jorkut, me përqendrim të veçantë në Bronx dhe Staten Island.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Pas Luftës së Parë Botërore, presidenti amerikan Woodrow Wilson mbështeti pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Ndërsa në korrik të vitit 1922, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara vendosën marrëdhënie diplomatike./dritare.net