Tension në Baltik/ Danimarka akuzon Rusinë: Anija juaj qëlloi drejt helikopterit tonë
Dritare.net

Danimarka ka akuzuar një anije luftarake ruse se ka lëshuar dy flakadanë sinjalizues drejt një helikopteri ushtarak danez, ndërsa ky i fundit po monitoronte anijen në Detin Baltik.
Sipas Forcave të Armatosura daneze, incidenti ndodhi gjatë një operacioni rutinë fotografimi të një fregate ruse, e cila ndodhej në ujërat ndërkombëtare pranë Gedserit. Njëri prej dy flakadanëve të lëshuar kaloi pranë helikopterit Fennec.
Qeveria daneze ka thirrur ambasadorin rus për të kërkuar shpjegime. Kryeministrja Mette Frederiksen e cilësoi veprimin rus “të pamatur”, duke deklaruar se synonte “të frikësonte dhe të përçante”. Ministria e Jashtme daneze e konsideroi incidentin “krejtësisht të papranueshëm”.
Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen akuzoi Rusinë se po përpiqet gradualisht të zhvendosë kufijtë e asaj që konsideron sjellje të pranueshme. Ndërkohë, ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, tha se ekuipazhi i fregatës ruse nuk kishte bërë asnjë përpjekje për të kontaktuar helikopterin përpara incidentit.
Moska ka deklaruar se do të hetojë rrethanat e ngjarjes, por ka hedhur akuza ndaj palës daneze. Ambasadori rus Vladimir Barbin pretendoi se helikopteri kishte kryer “veprime provokuese” dhe “manovra të rrezikshme” pranë anijes ruse.
Incidenti vjen në një moment tensionesh të larta në krahun lindor të NATO-s. Po të njëjtën ditë, forcat e NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i cilësoi dy incidentet si pjesë të “një modeli më të gjerë agresioni dhe provokimi rus kundër Europës”./dritare.net