Shqipëria dhe Kroacia, të rinjtë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane
Dritare.net

Unioni i Këshillave Studentorë dhe Ambasada e Republikës së Kroacisë në Shqipëri, në bashkëpunim me projektin “Mbështetje për Integrimin në Bashkimin Evropian” (EUIS), zhvilluan sot në Tiranë tryezën e diskutimit “Shqipëria dhe Kroacia: të rinjtë ndërtojnë një të ardhme të përbashkët evropiane”.
Tryeza u çel me fjalët përshëndetëse e Shkëlqesisë së Tij, Z. Zlatko Kramarić, Ambasador i Republikës së Kroacisë në Shqipëri, Znj. Valbona Halitaj, Presidente e Unionit Këshillave duke vijuar edhe me prezantime të tjera nga Z. Vanja Gavran, Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Shqipëri dhe Znj. Andreja Tonč Eksperte e projektit EUIS.
Studentë dhe profesionistë të rinj patën mundësinë të diskutojnë mbi përfitimet e anëtarësimit në BE, përvojën e Kroacisë si anëtare e BE-së - si vendi i fundit i rajonit që ka përmbyllur procesin e anëtarësimit, si dhe mbështetjen e saj për Shqipërinë. Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për të rinjtë, përfshirë arsimin, mobilitetin, punësimin, aksesin ne projekte evropiane dhe mundësi financimi aktuale, zhvillimin personal dhe pjesëmarrjen aktive në shoqërinë evropiane.
Ju jeni brezi që do ta përfundojë këtë tranzicion. Kjo është njëkohësisht një privilegj dhe një përgjegjësi. Të dyja shkojnë gjithmonë bashkë! Ju nuk i krijuat problemet e së kaluarës. Por ju keni trashëguar përgjegjësinë për të ndërtuar diçka më të mire,” nënvizoi gjatë falës së tij SH.T. Zlatko Kramarić. “Dhe jam i bindur se, një ditë, kur të shikoni pas në këtë periudhë, nuk do të thoni vetëm: U bëmë anëtarë të Bashkimit Evropian. Do të jeni në gjendje të thoni diçka shumë më të rëndësishme: Ne ndihmuam në ndryshimin e shoqërisë sonë.” shtoi Ambasadori.
Kjo tryezë është pjesë e një serie aktivitetesh që zhvillohen edhe në qytete të tjera të Shqipërisë përgjatë Shtatorit përkatësisht në Kukës, Berat, Pogradec dhe Shkodër.
Këto aktivitete i përgjigjen një prioriteti të evidentuar vazhdimisht në raportet vjetore të Komisionit Evropian për Shqipërinë: nevojës për të intensifikuar informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Duke e zhvilluar këtë diskutim me të rinj në qytete të ndryshme, axhenda evropiane afrohet më shumë me komunitetet lokale dhe ndihmon që integrimi të kuptohet edhe përmes ndikimit të tij në jetën e përditshme, jo vetëm si çështje kapitujsh negociues.
Shënim për redaksitë: Projekti “Mbështetje për Integrimin në Bashkimin Evropian” (EUIS) financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga DAI, Abkons dhe WeGlobal. Projekti mbështet institucionet shqiptare në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian./dritare.net