Na ndiqni edhe në

Dekalog nga Roland Qafoku

Lajmi i keq nga Haga! Kreu i veteranëve të UÇK-së: CIA thotë se 4 krerët do të dënohen!

Lajmi i keq nga Haga! Kreu i veteranëve të UÇK-së: CIA

Një lajm të keq nga Haga ka dhënë Astrit Huskaj, kreu i veteranëve të UÇK-së në Amerikë, gjatë intervistës në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV. Sipas Huskajt, informacionet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë nga kontaktet amerikane tregojnë se katër ish-krerët e UÇK-së pritet të dënohen.

“Unë kam informacione që do të dënohen”, deklaroi Huskaj, duke iu referuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai tha se informacionet vijnë nga bisedat dhe kontaktet që kanë pasur me amerikanët, ndonëse theksoi se në komunikimin diplomatik nuk jepen përgjigje të drejtpërdrejta.

“Amerikanët kurrë nuk thonë po ose jo në gjuhën diplomatike apo në gjuhën e shërbimit. Po ta sjellin muhabetin që ti ta kuptosh se çfarë do të ndodhë”, tha Huskaj në “Dekalog”.

Megjithatë, ai la hapur edhe një mundësi të fundit. Sipas tij, SHBA-ja mund të ndërhyjë në minutën e fundit që të paktën një prej të akuzuarve, për shembull Hashim Thaçi, të shpallet i pafajshëm, çka sipas tij do të rrëzonte pretendimin për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Një fije shprese pas të gjitha këtyre lajmeve jo të mira që kemi është që mundet, megjithatë, Amerika në minutën e fundit njërin, supozojmë Thaçin, ta lirojë vetëm që të prishet aktakuza, që të mos jetë ndërmarrje e përbashkët kriminale. Megjithatë, po e përsëris, unë nuk e besoj”, u shpreh ai.

I pyetur nga Roland Qafoku se çfarë mund të ndodhë në Kosovë në rast të një vendimi dënues, Huskaj paralajmëroi se reagimi i qytetarëve është i paparashikueshëm. Ai bëri thirrje që, pavarësisht vendimit, të ruhet qetësia dhe reagimet të jenë institucionale.

“Është e paparashikueshme çfarë mund të ndodhë, revolta e popullit. Mirëpo unë, në cilësinë e kryetarit në Amerikë, si bashkëluftëtar i tyre dhe si qytetar i atij vendi, kisha bërë ftesë për qetësi, për arsye se revoltat nuk i ndihmojnë Kosovës, nuk i ndihmojnë çështjes së sigurisë në Kosovë”, tha Huskaj.

Sipas tij, një vendim dënues nuk do të prekte vetëm fatin personal të katër ish-drejtuesve të UÇK-së, por mund të kishte pasoja shumë më të mëdha politike për Kosovën.

“Këtu nuk dënohet Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli. Këtu dënohet struktura e shtetbërjes dhe liribërjes në Kosovë, dënohet UÇK-ja, sepse vetë aktakuza që është ndërmarrje e përbashkët kriminale inkriminon komplet luftën e Kosovës. Përderisa inkriminohet lufta e Kosovës, e cila ishte motori i lirisë së Kosovës, do të thotë inkriminohet edhe liria dhe pavarësia e Kosovës”, deklaroi Huskaj.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se Serbia mund të përpiqet ta përdorë një vendim të tillë kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar të vërë në diskutim legjitimitetin e pavarësisë dhe të nxisë shtete të ndryshme drejt çnjohjes.

“Serbia thotë: ja, pavarësia e Kosovës është e ndërtuar mbi luftën e një grupi të përbashkët kriminal, apo ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Ka shans përsëri ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ka shanse të kërkojë çnjohjen e Kosovës nga shumë shtete”, tha ai.

Huskaj kritikoi gjithashtu kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin ndaj protestave në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa vlerësoi rolin e Shqipërisë. Sipas tij, shteti shqiptar ka përdorur të gjitha kanalet dhe mekanizmat që ka pasur në dispozicion për këtë çështje.

“Shteti shqiptar ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur. Këto nuk po i flas kot. Shteti shqiptar i ka përdorur të gjitha kanalet e veta”, deklaroi Huskaj, duke shtuar se Tirana do të vazhdojë të përdorë mekanizmat e saj në mbrojtje të sovranitetit, lirisë dhe shtetbërjes së Kosovës.

Në fund, Huskaj e cilësoi situatën jashtëzakonisht të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës nëse katër ish-drejtuesit e UÇK-së dënohen mbi bazën e akuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

“Është shumë rrezik çështja e shtetit të Kosovës, në qoftë se dënohet kjo katërshe e UÇK-së në Hagë”, përfundoi Astrit Huskaj në emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV./K.C/dritare.net