Huskaj: Nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së, Serbia do të kërkojë çnjohjen e Kosovës!
Dritare.net

Një dënim i katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare. Kështu paralajmëroi Astrit Huskaj, kreu i veteranëve të UÇK-së në Amerikë, gjatë intervistës në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV.
Sipas Huskajt, nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dënohen mbi bazën e akuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale, Serbia mund ta përdorë vendimin si argument kundër shtetësisë së Kosovës.
“Serbia ka mundësi ta dërgojë përsëri çështjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Kosova e fitoi të drejtën. Mirëpo, në qoftë se dënohen ashtu siç i kemi informacionet, Serbia do të thotë: ja, pavarësia e Kosovës është ndërtuar mbi luftën e një grupi të përbashkët kriminal apo ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, deklaroi Huskaj.
Ai paralajmëroi se Beogradi mund të shkojë edhe më tej, duke e përdorur një vendim të tillë për të kërkuar çnjohjen e Kosovës nga shtete që e kanë njohur pavarësinë e saj.
“Ka shanse përsëri ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ka shanse të kërkojë çnjohjen e Kosovës nga shumë shtete. Atëherë do ta ketë faktin në dorë dhe do të thotë: ja kë keni njohur, ja pavarësia e Kosovës dhe liria e Kosovës produkt i çfarë ka qenë”, tha Huskaj.
Sipas tij, çështja nuk lidhet vetëm me fatin personal të katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Një dënim i tyre, argumentoi Huskaj, do të përdorej për të goditur vetë luftën e UÇK-së dhe procesin që çoi drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Këtu nuk dënohet Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli. Këtu dënohet struktura e shtetbërjes dhe liribërjes në Kosovë, dënohet UÇK-ja”, u shpreh ai.
Huskaj e cilësoi situatën si tepër serioze, duke paralajmëruar se pasojat e një vendimi të tillë mund të shkojnë përtej procesit gjyqësor në Hagë.
“Ka shumë pasoja. E ardhmja e Kosovës është në pikëpyetje në qoftë se dënohet kjo katërshe.”, përfundoi Astrit Huskaj në “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV./K.C/dritare.net
