Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BE reagon pas vendimit për ish-krerët e UÇK-së

Bashkimi Evropian ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kërkon që vendimi të respektohet, duke kujtuar se të dënuarit kanë të drejtën e apelimit. Në reagimin e saj, Kos thekson se çështja lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat, ndërsa u bën thirrje aktorëve në rajon të kontribuojnë në pajtim dhe në shërimin e plagëve të së kaluarës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, ka thënë Kos në reagimin e saj të plotë./K.C/dritare.net