Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Plagosja e deputetit Hoti, Berisha: U qëllua me urdhër politik!

Plagosja e deputetit Hoti, Berisha: U qëllua me urdhër politik!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shkuar në Spitalin e Traumës për të vizituar deputetin Kliti Hoti, i cili u plagos me plumb gome gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë.

Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se qëllimi ndaj deputetit ishte bërë me urdhër politik. Kreu i PD-së dha detaje mbi gjendjen shëndetësore të Hotit, ndërsa pretendoi se numri i të plagosurve gjatë protestës ka kaluar 70.

“Me urdhër politik të Edi Ramës u qëllua në tentativë për t’u vrarë deputeti i PD-së, Kliti Hoti, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe, në funksionin e deputetit dhe të mjekut, ka qëndruar me përkushtim të madh pranë gjithë protestuesve të agresuar barbarisht pa asnjë motiv nga narkobanditët e Edi Ramës për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës.

Deputeti, siç e panë të gjithë, po vraponte pas një protestuesi që po e trajtonin shtazërisht narkobanditët dhe ata e qëllojnë. I merr shenjë në zemër, por me instinkt kthehet dhe plumbi kap shpatullën e tij. Një goditje shumë e rëndë nga afër, me plagë të thellë dhe djegie përreth, si të ishte ndonjë plumb me eksploziv kur shpërthen, me një shtypje të fortë të një pjese të mushkërisë.

Po vazhdojnë analiza të tjera, por ky akt kriminal i Ramës është dëshmia më e madhe se ai kërkon konflikt të hapur. Kur një deputet në detyrën e tij dhe të mjekut qëllohet me snajper, Edi Rama i shpall luftë popullit opozitar dhe asaj force politike.

PD do t’i përgjigjet atij me mënyrën më të merituar. Ky rast është kushtrim dhe apel për çdo shqiptar, të ngrihemi dhe të largojmë këtë regjim kriminal. Janë mbi 70 të plagosur, mbi 20 kanë trajtuar mjekët në qendrën afër Tajvanit.

Demo ka kërkuar pezullimin? Ai është një horr në detyrë. A ju kujtohet se thanë para një muaji se janë pezulluar 5 efektivë? Ata janë të gjithë në detyrë. Demo nuk mund të shpëlajë fytyrën e Edi Ramës dhe aktin e tij”, tha Berisha./K.C/dritare.net