Qëlloi deputetin Kliti Hoti me plumb gome, pezullohet polici!
Dritare.net

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas plagosjes me plumb gome të deputetit demokrat Kliti Hoti gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë. Demo ka njoftuar se i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pezullimin e menjëhershëm të efektivit të përfshirë në incident dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë. Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.
Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm.
Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre. E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim”, shkroi Demo./K.C/dritare.net