Na ndiqni edhe në

Bota

Financial Times: Pedro Sánchez, luftëtar deri në fund!

Financial Times: Pedro Sánchez, luftëtar deri në fund!

Pedro Sánchez ishte ende një fillestar në politikë kur, në vitin 2015, u ul përballë kryeministrit Mariano Rajoy në një debat televiziv, duke i drejtuar gishtin dhe duke e vështruar rivalin e tij me një shikim të akullt.

“Kreu i qeverisë duhet të jetë një njeri i ndershëm”, tha Sánchez. “Dhe ju nuk jeni i tillë.”

Fyerja tronditi klasën politike. Rajoy e cilësoi atë si “meskine, të ulët dhe të neveritshme”. Duke kujtuar së fundmi atë episod, një ish-ministër i Partisë Socialiste të Sánchezit tha: “Të cilësoje dikë si të pandershëm ishte e paimagjinueshme.”

Por Sánchez kishte dhënë një sinjal të qartë për mënyrën se si do të zhvillonte betejat e tij politike, ndërsa normat e qytetarisë në politikën spanjolle po zbeheshin.

Në 11 vitet që pasuan, Sánchez u shkarkua nga drejtimi i Partisë Socialiste, rimori frenat e saj, u bë kryeministër duke rrëzuar Rajoyn përmes një mocioni mosbesimi dhe drejtoi tri qeveri të pakicës.

Të dielën, ai do të përballet me zgjedhjet e tij të gjashta parlamentare, të parat e një vale zgjedhjesh që pritet të zhvillohen në Bashkimin Evropian gjatë vitit të ardhshëm.

Megjithatë, shumica e sondazheve parashikojnë humbjen e tij, pasi ai nuk duket në gjendje t’i bëjë ballë valës në rritje të pakënaqësisë për kostot e strehimit, emigracionin, korrupsionin dhe problemet e infrastrukturës.

Humbja e Sánchezit do të shënonte rënien e liderit të fundit të majtë në një prej vendeve të mëdha të Bashkimit Evropian, por edhe të atij që ka treguar më shumë guxim në kundërshtimin e presidentit amerikan Donald Trump.

I gjatë dhe elegant, ish-basketbollisti Sánchez dikur kishte fituar nofkën “Zoti i pashëm” dhe rrezaton një sharm të rafinuar. Ai e shijon statusin e tij si model për të majtët në një botë që po zhvendoset drejt së djathtës. Por mbetet po ai luftëtar i pamëshirshëm i betejave partiake që ishte në vitin 2015.

Sot, ai po lufton jo vetëm kundër Partisë Popullore konservatore (PP), por edhe kundër Vox-it, partisë së ekstremit të djathtë, të cilën e ka cilësuar si “një kërcënim serioz për demokracinë”.

Edhe nëse socialistët e Sánchezit arrijnë të marrin numrin më të madh të votave, një mundësi që konsiderohet e vogël, sondazhet tregojnë se Partia Popullore dhe Vox, së bashku, do ta tejkalojnë atë, duke fituar mundësinë për të formuar një koalicion qeverisës.

Vox ka luajtur gjithashtu rolin e vet në ashpërsimin e gjuhës së politikës spanjolle. Lideri i saj, Santiago Abascal, e quan Sánchezin “tiran” dhe ka deklaruar se “ai do të shiste edhe nënën e vet”.

Në tubimet e Vox-it, mbështetësit thërrasin në kor: “Pedro Sánchez, bir k*rve”.

Nga ana e tij, kryeministri paralajmëron se Abascal dhe kreu i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, do ta kthenin Spanjën pas në kohë.

Në një debat elektoral të enjten, ai deklaroi se ata do të krijonin “një Spanjë të shkurtimeve buxhetore, të ngrirjes së pagave dhe të zhbërjes së arritjeve sociale të fituara me shumë mund”.

Një drejtues biznesi që e njeh Sánchezin thotë se, edhe në bisedat private, sulmet ndaj përfaqësuesve të së djathtës janë për të një reagim instinktiv.

“Thjesht i tillë është ai.”

Mbështetësit e tij besnikë thonë se rezultati më i mirë i mundshëm për Sánchezin do të ishte një ngërç politik, në të cilin as e djathta dhe as e majta nuk do të arrinin të siguronin shumicën e nevojshme, duke e çuar Spanjën drejt përsëritjes së zgjedhjeve.

Megjithatë, një aleat i ngushtë i kryeministrit thotë se ai mbetet optimist dhe pohon se ka arritur të triumfojë edhe në përballje elektorale më të vështira.

Sánchez po përpiqet të përcjellë mesazhe optimiste për ekonominë spanjolle, duke vënë në dukje ritmet e larta të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndër më të mirat krahasuar me ekonomitë e ngjashme, si dhe rritjen e pagës minimale dhe të pensioneve, të miratuara prej tij.

Por ai nuk përmend faktin se, që prej fundit të vitit 2022, nuk ka arritur të miratojë asnjë buxhet në parlament.

Socialistët kanë zgjedhur “Fuqinë e dashurisë” si një prej sloganeve të fushatës, ndërsa Sánchez është bërë objekt talljeje nga rivalët e tij për shkak se ka kërcyer gjatë tubimeve elektorale.

Përpara se të jepte dorëheqjen për shkak të një aksidenti hekurudhor muajin e kaluar, ku humbën jetën 69 persona, ministri i atëhershëm i Transportit, Óscar Puente, deklaroi:

“Mendoj se gëzimi i njeriut që drejton këtë projekt është ngjitës dhe po na përfshin të gjithëve.”

Sánchez i ka dhënë fushatës edhe një dimension personal.

I lindur në Madrid në vitin 1972, ai studioi ekonomi dhe administrim biznesi në universitet, përpara se të punonte në Parlamentin Evropian dhe më pas në misionin e Kombeve të Bashkuara në Bosnjë.

Por gjyshërit e tij nuk dinin as të lexonin, as të shkruanin.

“Dhe kjo ka hapur një plagë brenda meje... E kam shumë të vështirë t’i përballoj padrejtësitë sociale”, është shprehur ai.

Në një prej tubimeve elektorale, Sánchez puthi bashkëshorten e tij, Begoña Gómez, dhe i tha: “Të dua”, duke e vendosur në qendër të vëmendjes një grua që vitin e ardhshëm pritet të përballet me gjyqin për ushtrim të paligjshëm të ndikimit dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Kur një gjyqtar nisi hetimet ndaj Gómezit për korrupsion në vitin 2024, pas një kallëzimi të paraqitur nga një grup me lidhje me ekstremin e djathtë, Sánchez u tërhoq për pesë ditë nga angazhimet publike për të reflektuar mbi të ardhmen e tij.

Disa analistë prisnin që ai të qëndronte mbi përplasjet partiake. Por Sánchez zgjodhi të vazhdonte betejën politike, duke deklaruar se ishte viktimë e “një lëvizjeje reaksionare globale, që kërkon të imponojë axhendën e saj regresive përmes shpifjeve dhe gënjeshtrave”.

Sánchez dhe bashkëshortja e tij mohojnë të kenë kryer ndonjë shkelje, por kryeministri ka kërkuar falje për rastet e korrupsionit ku janë përfshirë dy prej ish-bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, mes tyre një ish-ministër që po vuan një dënim me 24 vjet burg.

Mbi kryeministrin rëndojnë edhe dështimet në menaxhimin e ndërprerjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin në vitin 2025, dy aksidentet hekurudhore me pasoja fatale gjatë këtij viti, si dhe hyrja e paautorizuar, në korrik, e më shumë se 70 mijë emigrantëve në Ceuta, një territor spanjoll në Afrikë.

Miguel Sebastián, ministër në një prej qeverive të mëparshme socialiste, e mbështet Sánchezin, por pranon se “çështja e strehimit u doli nga kontrolli”.

Mbërritja e afro 4 milionë emigrantëve që prej vitit 2018 dhe shtimi i vrullshëm i apartamenteve që jepen me qira për turistët e kanë shndërruar mungesën e banesave me çmime të përballueshme në shqetësimin kryesor të qytetarëve spanjollë.

“Duhej të kishin ndërtuar më shumë banesa publike për t’i dhënë me qira”, tha Sebastián për Financial Times.

Disa prej figurave të vjetra të së majtës i kanë kthyer shpinën Sánchezit, duke argumentuar se mëkati i tij më i madh ka qenë shkelja e fjalës së dhënë për të qëndruar në pushtet, përmes marrëveshjeve me aleatë parlamentarë që ata i konsiderojnë të papranueshëm: përfaqësues të së majtës radikale, separatistë katalanas dhe një parti baske që e ka origjinën në një prej krahëve të organizatës terroriste ETA.

Në një debat javën e kaluar, Feijóo, kreu i Partisë Popullore, citoi një ish-aleat të Sánchezit, i cili e kishte përshkruar kryeministrin si “një njeri pa moral dhe me ambicie të shfrenuara”.

Më pas, Feijóo dha goditjen e tij, duke i rikthyer Sánchezit pothuajse të njëjtat fjalë që ai i kishte drejtuar Rajoyt 11 vjet më parë:

“Spanja meriton një kryeministër të ndershëm. Ai nuk është i tillë.”/Përshtati nga Financial Times, Dritare.net