Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

7 mijë m² tokë e konfiskuar në Tiranë për strehimin e kafshëve të braktisura

Rreth 7 mijë metra katrorë tokë e konfiskuar në rrethinat e Tiranës synohet të vihet në shërbim të mbrojtjes së kafshëve të braktisura. Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka ndërmarrë një nismë për t’u krijuar organizatave të kësaj fushe mundësi të reja për strehimin dhe kujdesin ndaj kafshëve në nevojë.

Hapësira e propozuar synon të shërbejë për ngritjen dhe zhvillimin e strehëzave, duke krijuar kushte më të përshtatshme për sistemimin, trajtimin dhe mbrojtjen e kafshëve të braktisura.

Interesi për këtë mundësi ka nisur të shfaqet edhe nga organizatat e fushës. Deri më tani, një organizatë ka shprehur interes konkret për përfitimin e pronës, ndërsa disa të tjera kanë kërkuar informacion mbi sipërfaqen, kushtet dhe procedurat për vënien e saj në përdorim.

Nevojat e organizatave që kujdesen për kafshët e braktisura u evidentuan edhe gjatë një vizite në një prej strehëzave në Tiranë, ku u njohën nga afër vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë personat e angazhuar në këtë drejtim.

“Shumë shpejt, me mbështetjen e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, një hapësirë e re do të hapë dyert për më shumë kafshë në nevojë”, thuhet në komunikimin për nismën.

Përmes kësaj iniciative, një pronë e konfiskuar synohet të marrë një funksion të ri në shërbim të komunitetit. Përdorimi i saj për strehëzat e kafshëve përbën një shembull të orientimit të pasurive të konfiskuara drejt qëllimeve me interes publik dhe nevojave konkrete të shoqërisë.

AAPSK do të vijojë komunikimin me organizatat e interesuara për të përcaktuar kushtet dhe mënyrën konkrete të përdorimit të pronës, si dhe hapat e mëtejshëm për zhvillimin e projektit.