Rama fton drejtuesit e drejtësisë në tryezë për pagat e magjistratëve
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për zhvillimin e një tryeze të përbashkët pune me përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, me fokus sistemin e pagave të magjistratëve. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehet se synimi duhet të jetë një zgjidhje afatgjatë që garanton trajtimin e magjistratëve, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin e piramidës shtetërore të pagave. Ai ka bërë të ditur se në tryezë mund të marrin pjesë edhe ekspertë të Këshillit të Europës dhe përfaqësues të Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave.
Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë.
E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë.”