Kush është 44-vjeçari që u vra sot në mes të rrugës, në Sarandë
Dritare.net

Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të diele në Sarandë, ku një 44-vjeçar është vrarë me armë zjarri, ndërsa një kalimtar ka mbetur i plagosur.
Viktima është identifikuar si Artan Myrtaj, i cili mësohet se ka qenë duke ecur në këmbë në momentin kur është qëlluar. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-agjencisë së vjetër të qytetit të Sarandës.
Sipas të dhënave paraprake, autorë të dyshuar janë dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra. Dyshohet se ata i kanë zënë pritë 44-vjeçarit dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij.
Si pasojë e të shtënave, Myrtaj ka humbur jetën në vend, ndërsa është plagosur edhe një kalimtar që ndodhej në zonë.
Artan Myrtaj rezulton të ketë qenë i arrestuar më parë nga Policia e Sarandës. Në vitin 2025, ai ishte shpallur në kërkim dhe më pas arrestuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me një plagosje me armë zjarri në qytet.
Bëhet fjalë për plagosjen e Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt, një ngjarje e ndodhur në vitin 2025 dhe që, sipas të dhënave të asaj kohe, lidhej me një konflikt për një pronë në vijën bregdetare.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të vrasjes./K.C/dritare.net