Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Adelina Mamaqi flet për divorcin: Natën e parë të martesës i thashë se do të ndahemi!

Adelina Mamaqi flet për divorcin: Natën e parë të

Adelina Mamaqi, një nga zërat më të veçantë të letërsisë shqipe, ka hapur një nga kapitujt më personalë të jetës së saj, duke rrëfyer martesën e vështirë, vendimin për t’u divorcuar në një kohë kur një grua e divorcuar përballej me paragjykime të forta, marrëdhënien me dy djemtë dhe letërsinë që e shoqëroi gjatë gjithë jetës.

Në një rrëfim të gjatë në podkastin “Pa komplekse”, nga Elion Kollçaku në bashkëpunim me DritareTV, Mamaqi kthehet pas në kohë, te vajza që lexonte e vetme mes librave të bibliotekës së madhe të familjes dhe që vetëm 9 vjeçe nisi të shkruante. Por rruga drejt letërsisë nuk ishte e lehtë. Në moshën 16-vjeçare, kur çoi një cikël poezish për botim, një shkrimtar i njohur i kohës i dha një përgjigje që ajo nuk e harroi kurrë: “Dëgjo moj vajzë, mëso të gatuash e të qëndisësh, se për këtë punë nuk je.”

Adelina doli jashtë dhe qau. Por vetëm për pak. Më pas vendosi të dëgjonte profesorët e saj, Nonda Bulkën dhe Skënder Luarasin, të cilët e kishin nxitur të vazhdonte të shkruante. Poezitë e saj u botuan dhe ajo nuk u ndal më.

Në vitin 1963 botoi “Ëndrra vashërie”, duke sjellë në poezi edhe dashurinë e një gruaje, në një kohë kur për tema të tilla nuk flitej lehtë. Libri u prit mirë dhe më pas u botua edhe në Kosovë. Pikërisht Kosova, thotë Mamaqi, ishte vendi ku për herë të parë e ndjeu plotësisht veten poete.

“Kosova është atdheu im i dytë, sepse këtu kam lindur si poete”, shprehet ajo. Lidhja me Kosovën ka mbetur aq e fortë, sa Mamaqi tregon se prej kohësh nuk pranonte më intervista dhe këtë bisedë e pranoi pikërisht sepse intervistuesi vinte nga Kosova.

Por pas suksesit të poetes fshihej një jetë personale shumë më e vështirë.

Mamaqi rrëfen se shumë shpejt pas martesës kuptoi se kishte përballë një njeri me karakter krejtësisht të ndryshëm nga i saji. Kujtimi i natës së parë të martesës ka mbetur i fortë edhe pas kaq shumë vitesh.

“Kam qarë dhe i kam thënë: ‘Ne të dy do të ndahemi’”, kujton ajo.

Ajo kishte ardhur nga një familje ku, siç tregon vetë, nuk kishte ulërima dhe grindje. Familjen e konsideronte të shenjtë dhe pikërisht për këtë arsye u përpoq ta ruante martesën. Por me kalimin e kohës kuptoi se modeli i familjes me të cilin ishte rritur nuk ekzistonte në martesën e saj.

Një nga momentet më të dhimbshme që rrëfen lidhet me lindjen e djalit të parë. Sipas Mamaqit, bashkëshorti nuk shkoi as në maternitet për ta marrë atë dhe foshnjën. Ishte nëna e saj që shkoi me taksi.

“Kur lindi i madhi, ai nuk erdhi në spital dhe e kuptova që ai fëmijë nuk kishte baba”, shprehet ajo, duke treguar se mungesa e tij vazhdoi edhe më vonë në jetën e fëmijëve.

Martesa zgjati rreth katër vjet e gjysmë. Më pas Adelina mori një vendim të vështirë për kohën: kërkoi divorcin. Nuk e konsideron këtë si prishjen e një familjeje. Përkundrazi.

“Unë nuk e prisha familjen. Unë u ktheva në një familje normale, sepse unë nuk kisha familje”, thotë ajo.

Edhe kur babai i saj i kujtoi se ishte ende shumë e re, Mamaqi e kishte marrë vendimin. Nuk mendonte për një martesë tjetër. Jeta e saj, thotë, tashmë kishte një tjetër qendër.

“Unë tani nuk jetoj më për ty. Nuk jetoj as për vete. Unë jetoj për djemtë e mi”, i kishte thënë të atit.

Dy djemtë u rritën pranë saj dhe prindërve të saj. Nëna e Adelinës, e cila kishte qenë shtylla e saj që në fëmijëri, u bë një figurë thelbësore edhe për nipërit. Vetë Mamaqi nuk u martua më.

Ndërkohë, letërsia mbeti shtylla tjetër e jetës së saj. Ajo e përshkruan jetën si një urë të mbështetur mbi dy kolona: familjen dhe letërsinë.

“Jeta ime është si një urë që ka dy shtylla. Këto dy shtylla janë fëmijët, tani edhe mbesat, dhe letërsia.”

Në intervistë, Mamaqi flet hapur edhe për periudhën e komunizmit. Ajo pranon se ka shkruar edhe poezi që kërkoheshin nga sistemi dhe tregon se, kur vdiq Enver Hoxha, iu kërkua të shkruante për të.

Për atë poezi sot thotë: “Nuk shkruante zemra ime, shkruante mendja ime”. E pyetur nëse dhimbja që kishte shprehur atëherë ishte reale, përgjigjet prerë: “Jo, nuk ishte reale.”

Pas viteve të punës, dhjetëra librave dhe vlerësimeve, Mamaqi thotë se ka ende një peng ndaj mënyrës se si është vlerësuar nga shteti. Ajo kujton se është dekoruar dy herë me Urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa më vonë iu dha edhe pensioni i veçantë. Megjithatë, mendon se kontributi i saj letrar meritonte një tjetër njohje.

“Sikur vetëm si poetja e parë shqiptare do ta kisha merituar një titull”, shprehet ajo, duke shtuar se një vlerësim të tillë nuk e kërkon më për veten, por do të donte t’ua linte si kujtim mbesave.

Sot Adelina Mamaqi jeton vetëm, por këmbëngul se nuk është e vetmuar. Telefonatat, mesazhet, miqtë, lexuesit dhe familja vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së saj.

Dhe pas një jete ku ka njohur suksesin, zhgënjimin, një martesë të vështirë, divorcin, emigracionin, rikthimin dhe mbi të gjitha dashurinë për fëmijët, ajo nuk e përkufizon jetën përmes dhimbjeve.

“Jeta është e bukur”, thotë Mamaqi. “Mjaft fakti që zgjohesh në mëngjes dhe fillon një ditë tjetër. Është një dhuratë.”

Në fund, kur pyetet se çfarë do t’i thoshte sot vajzës së re që dikur shkroi “Ëndrra vashërie”, Adelina Mamaqi i përgjigjet vetes me pak fjalë:

“Adelinë, bëre atë që munde të bësh në jetë. Dashtë Zoti, nuk e ke bërë keq.”/dritare.net