Vrau gruan me thikë në sy të nipërve, zbardhet dëshmia e Hysni Patushit!
Dritare.net

Një krim i rëndë në familje tronditi Tiranën mëngjesin e sotëm. Hysni Patushi, 68 vjeç, vrau me thikë bashkëshorten e tij, Lumturie Patushi, 58 vjeçe, në banesën e vajzës së tyre, në rrugën “Panorama”, pranë SPAK-ut.
Në momentin e ngjarjes, gruaja po kujdesej për dy nipërit e mitur, 10 dhe 14 vjeç. Mes çiftit nisi një debat dhe, sipas të dhënave paraprake, 68-vjeçari e goditi bashkëshorten me thikë në gjoks, në praninë e fëmijëve. Lumturie Patushi u dërgua në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Pas krimit, Hysni Patushi u largua nga vendngjarja. Ai dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Policia e arrestoi më pas në zonën e Kamzës, ndërsa pranë pallatit ku ndodhi vrasja u gjet edhe thika që dyshohet se u përdor në krim.
Gjatë marrjes në pyetje, 68-vjeçari ka deklaruar se mes tij dhe bashkëshortes kishte konflikte të herëpashershme. Sipas tij, Lumturie Patushi qëndronte në shtëpinë e vajzës dhe nuk pranonte të kthehej në banesën e çiftit në zonën e “Don Boskos”.
Ai u ka thënë hetuesve se paraditen e sotme e kishte telefonuar bashkëshorten dhe ajo i kishte thënë se ndodhej te TEG-u. Më pas, ai kishte shkuar në banesën e vajzës dhe e kishte gjetur aty.
“Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër”, citohet të ketë dëshmuar Hysni Patushi në polici.
Çifti banonte në një pallat në zonën e “Don Boskos”, por shkonte shpesh në shtëpinë e vajzës për ta ndihmuar në kujdesin ndaj fëmijëve.
Në momentin e krimit, dhëndri ndodhej pranë lagjes. Ai është shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Edhe dy të miturit pritet të pyeten në praninë e psikologut për të treguar se çfarë mund të ketë ndodhur mes gjyshërve përpara vrasjes.
Hysni Patushi rezulton se ishte arrestuar edhe në vitin 2017 për dhunë në familje, pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. Nëntë vjet më vonë, dhuna u përsërit, këtë herë duke përfunduar në tragjedi./E.P-dritare.net